Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohet gjatë ditës me këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë,- bëjnë të ditur burime nga Brukseli. Sipas këtyre burimeve, në takim do të jetë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky takim i jashtëzakonshëm pason një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic. Sulmuesit janë të kombësisë serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi i sulmuesve është “formacion terrorist dhe kriminal”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili iu drejtua publikut të dielën në mbrëmje, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se serbët e Kosovës u rebeluan “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi këtë sulm.

Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion, dhe aktin si “terrorist”./REL