Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne (29 prill) në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, ku ndy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën e për pasojë ka humbur jetën një 80-vjeçar.
Policia bën me dije se viktima ishte pasagjer në njërin prej automjeteve të përplasura.
Shkaku paraprak i aksidentit dyshohet se ka qenë kalimi në korsinë tjetër të rrugës, duke mos mbajtur krahun e duhur të lëvizjes, nga ana e drejtuesit të automjetit tip “Benz”.
“Më datë 29.04.2024, rreth orës 04:50, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Memëlisht, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin D. Y., 46 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Citroen” me drejtues shtetasin Y. M., 58 vjeç.
Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Citroen” 58-vjeçari Y. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe shtetasi F. Z., 80 vjeç, banues në fshatin Çetë, Devoll, pasagjer në këtë automjet, i cili për pasojë ndërroi jetë”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.