Një fëmijë 3 vjeç dhe i ati i identifikuar si Shkurt Prenga, rreth 30 vjec ndërruan jetë si pasojë e një aksidenti rrugor në segmentin Milot-Rrëshen. Ngjarja ndodhi rreth orës 16 e 30 minuta të së hënës në afersi të Milotit.

I mituri me iniciale O.P., ishte në sediljen e pasme të makinës tip ‘Opel’ bashkë me dy prindërit ku u përplasën me makinën tip ‘Benz’ i cili ka shpërthyer menjëherë në flakë.

Ndërsa makina ku udhëtonin tre anëtarët e familjes Prenga nga fshati Rrilë i Lezhës është përplasur me tej me barrierat mbrojtëse të rrugës duke përfunduar si grumbull hekurishtesh.

I mituri ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa minuta pas të birit gjeti vdekjen edhe i ati, pasi nuk mundi t’i mbejetojë plagëve të marra.

Nga aksidenti u plagos dhe zonja e shtëpisë Fabiola Prenga e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

Në gjendje të rëndë ndodhet edhe shoferi i makinës që përfundoi në flakë që përveç plagëve të aksidentit mësohet se ka pësuar edhe djegie.

Nga të dhënat e para, dyshohet se shkak për aksidentin tragjik është bërë një parakalim i gabuar i drejtuesit e të Benz-it.

Shpjetësia e lartë e lëvizjes në këtë segment problematik të Rrugës së Kombit është një tjetër shkak i dyshuar. Aksidentet kanë shkaktuar bilanc tragjik këtë vit. Natën e Krishtlindjes dy të rinj humbën jetën në një tjetër aksident në Lezhë, ndërsa nga janari në nëntor, në rrugët e vendit kanë humbur jetën të paktën 176 persona.