Meta ka pranuar se disa prej llogarive në Instagram të aktivistëve dhe mbështetësve të “Revolucionit të Flamingove” janë mbyllur gabimisht, duke rrëzuar tezën se pas pezullimeve qëndronte përpjekja e qeverisë shqiptare për të censuruar këto llogari.

Kompania ka bërë të ditur se po rishikon masat e marra ndaj profileve të prekura dhe se disa prej tyre tashmë janë rikthyer.

Pranimi vjen pas disa ditësh akuzash të forta nga aktivistë dhe figura të opozitës, të cilët e paraqitën mbylljen e profileve si një operacion politik të orkestruar nga qeveria për të censuruar protestën.

Por deri tani nuk është paraqitur asnjë provë që e lidh qeverinë shqiptare me pezullimet, ndërsa vetë Meta po pranon se të paktën një pjesë e tyre kanë ardhur nga vendime të gabuara të platformës.

Kompania nuk ka sqaruar ende sa llogari janë prekur dhe as nëse gabimi është shkaktuar nga sistemet automatike të moderimit apo nga raportime masive të përdoruesve. Megjithatë, Meta është përballur edhe më herët me kritika të shumta për pezullime dhe mbyllje të gabuara llogarish, si rezultat i përdorimit të sistemeve automatike të moderimit dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. Në fakt, muajt e fundit, mijëra përdorues të Facebook dhe Instagram në të gjithë botën kanë raportuar bllokime të padrejta për shkelje që nuk i kishin kryer, ndërsa në disa raste llogaritë janë rikthyer vetëm pas ankesave publike ose ndërhyrjes së medias.

Akuzat për bllokimin e llogarive në Shqipëri morën jehonë edhe jashtë vendit, ku përfaqësues të Partisë Demokratike Europiane kërkuan sqarime dhe ngritën shqetësime për pluralizmin politik dhe lirinë e shprehjes.

Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se qeveria shqiptare nuk kishte asnjë rol në pezullimin e profileve dhe as mundësi teknike për të ndërhyrë në vendimmarrjen e platformave sociale.

Pranimi i Meta-s nuk sqaron ende të gjithë mekanizmin që çoi te mbyllja e profileve, por rrëzon pretendimin se ekzistonte tashmë një provë për censurë të organizuar nga qeveria. Për momentin, ajo që është konfirmuar është shumë më prozaike: Meta ka bërë gabime në moderim.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *