Ambasadorja e SHBA-ve, ka shpërndarë në rrjetin social Twitter, një artikull të medias online, Lapsi.al, duke deklaruar se faktet në artikullin e kësaj media, sa i përket qëndrimeve të SHBA dhe BE në raport me integrimin e Shqipërisë, paraqiten “në mënyrë të gabuar”.
Lidhur me këtë prononcim të ambasadores, ka reaguar media e drejtuar nga Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, ku shpjegohet shkrimi dhe reagimi i Kim.
Më poshtë, reagimi i plotë i Lapsi.al:
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka replikuar sot me një gjuhë të kujdesshme diplomatike ndaj një artikulli të Lapsi.al, analiza e te cilit vinte në pah diferenca mes qëndrimeve të zyrtarëve të BE-së dhe atyre të SHBA, në rekomandimet që japin lidhur me nisjen e negociatave, për mënyrën se si shohin difektet dhe mangësitë e qeverisë dhe për marëdhëniet që mbajnë mes pushtetit dhe opozitës në Tiranë.
Duke postuar artikullin e Lapsi.al, Znj. Kim shkruante sipër tij se ai “e paraqet situatën në mënyrë të gabuar”.
“Ky artikull e paraqet situaten në një menyrë të gabuar. SHBA dhe BE jane të bashkuara në mbeshtetjen ndaj Shqiprinë drejt BE. Në asnjë moment SHBA nuk ka bërë thirrje për “mbylljen e syve” ndaj mangësive; përkundrazi, ne i kemi theksuar ato dhe kemi ofruar mbështetjen tonë për përparimin. Kjo është arsyeja pse Flamuri i Shteteve të Bashkuara – së bashku me BE – përqendrohet aq shumë në Reformën në Drejtësi, duke përfshirë nevojën që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Shikoni faktet“.
Me të njëjtën kurtuazi që znj Kim e fton Lapsi.al të shohë faktet edhe ne mendojmë se këtë jemi përpjekur të bëjmë pikërisht këtë. Ne kemi vërejtur se zv. sekretari i shtetit Palmer kërkon një datë të hapjes së negociatave, ndërkohë që vendet anëtare duket se kanë votuar të mos ta marrin këtë vendim.
A nuk janë këto qëndrime të ndryshme midis administratës amerikane dhe vendeve anëtare ne BE?
Në qëmtimin e këtyre diferencave mund të shkohet edhe më tej në kohë?
A nuk qenë diametralisht të kundërta qëndrimet që mbajti Komisioneri për zgjerim Varlely dhe ambasada e ShBA këtu në Tiranë, ndaj ndryshimeve të njëanëshme kushtetuese që ndërmori shumica e Edi Ramës për të ndryshuar kushtetutën në prag të zgjedhjeve?
A nuk u bë dhe më flagrante mbeshtetje ndaj njëres palë, kur përfaqësia amerikane në Tiranë mbështeti procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të kushtetueses nga kjo mazhorancë, që pastaj u diskreditua nga komisioni i Venecias?