Ambasadorja franceze në vendin tonë, Elisabeth Barsacq u shpreh mbrëmjen e sotme se vendi i saj është aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara. Kjo deklaratë u bë gjatë intervistës së gazetarit Endri Xhafo me të, e cila u pyet në lidhje me qëndrimin ndaj Sali Berishës.
Barsacq u tregua e prerë nëse Berisha është i ftuar në festën kombëtare të Francës më 14 korrik. Ajo u shpreh se ambasada nuk fton persona që janë objekt i veçantë i ndonjë vendimi të SHBA-ve.
“Ne nuk ftojmë persona që janë objekt – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin në fjalë – por ne nuk ftojmë persona që janë objekt i një situate të veçantë përkundrejt Shteteve të Bashkuara, domethënë, pa akses në territorin e SHBA” – tha ambasadorja.
E pyetur nëse Berisha duhet hetuar apo dënuar, Elisabeth Barsacë u shpreh se: “Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët. Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj se çfarë bëjnë shqiptarët”.