Frrok Çupi/
Nesër është dita e Votimeve në Amerikë. Pasnesër është përsëri “nesër në Amerikë”. Sepse pasnesër do të mund të kuptojmë cili do të jetë Presidenti i ri. Sot nuk mund të besojmë asgjë; as nga ato parashikime që vijnë nga Amerika… A nuk e mbani mend se tash afër kemi thënë: “A!, kjo është e saktë se vjen nga Amerika!”. Madje edhe për një palë çorape kemi thënë kështu. Tani nuk ka më ashtu. Slogani kryesor i njërit kandidat, Trump, kërkon pikërisht këtë: Që të kthehet besimi te gjëja “që vjen nga Amerika”. Madje edhe “çorapet”, dmth., mallrat amerikane, nuk janë ato që ishin- ka thënë Trump… Por jemi këtu, te besimi kush fiton nesër…, ose pasnesër që do të jetë “nesër” për ditën e nesërme. Gjeja që vjen nga Amerika nuk është e besueshme. Domethënë nuk besohen të thënat, sondazhet, “studimet” dhe parashikimet për presidentin e ri.
Kjo është Amerika- Brexit. Brexit-i hyri në shtëpinë e çdo britaniku dhe të çdo evropiani, jo nga dera, por nga dritarja. Ishte pabesia e fundit që bënë sondazhet ndaj qytetarit të sotëm. Tani nuk mund të besohen më; po të besohen sondazhet, nuk është më faji i tyre, por i naivit që beson. Brexti u shfaq në mbasditen e 23 qershorit 2016 dhe shkaktoi çudinë më të madhe. Një ditë para, më 22 Qershor, mbasdite, sondazhet e kishin garantuar Globin se “anglezët votojnë kështu: 48 për qind kundër, dhe 46 për qind pro- Brexit”. Ndodhi e kundërta, madje më thellë se kaq ishte humbja.
Atëherë?… Studiues amerikanë, anketues, gazetarë, maniakë shifrash, kush e kush që ka zbritur në këtë fushë…, as vetë këta nuk kuptojnë gjë. Këto zgjedhje janë “bizarre”, po thonë vetë. “Më të mëdhenjtë” e mëparshëm janë kthyer në “më të vegjlit”. Mediat e mëdha, CNN, New Yor Times, Washinton Post, janë më pak të besueshëm; të vegjlit kanë rritur aksionet e besimit. Nga njëra media- te tjetra, sondazhi krijon hendek shumë të madh. Ka ndodhur ajo që nuk kishte ndodhur kurrë në Amerikë. Media është përkulur dhe është kthyer në kulpër që mbështetet dhe “lëpin” trupin e pemës së madhe; nesër mund të studiohet si “thyerja” e besimit në media. Sonte asnjë prej këtyre nuk mund të thotë ndonjë gjë të besueshme.
Vetëm kësaj jave që lamë pas, shiko çfarë hendeku kanë parashikimet: Një parashikim i ABC Neës/Washington Post, thanë se Donald Trump kryeson me 1 për qind. CNN tha se Clinton ndodhet 4 deri 5 pikë përpara, në të njëjtën ditë. Trump, nga i njëjti burim ishte paraqitur 10 për qind nën Clinton vetëm një javë më parë. Raporti Rasmussen, gjithashtu i paraqiti të dy kandidatët “kokë më kokë”, 44 me 44 për qind…
Ka ndodhur jo diçka, por shumëçka në Amerikë. Sondazhet iu vijnë pas preferencave të Fondacioneve nga ku burojnë. vëzhgimet janë kryer cektë, pa historinë çfarë ka ndodhur më parë. Votuesit nuk janë ndierë mirë kur iu kanë shkuar t’i pyesin: “Për kë voton?, se unë vij nga sondazhet”. Nuk i pëlqejnë më sondazhet dhe shfaqjet në ekrane. Mediat dhe ato çfarë ndodhën në zgjedhjet presidenciale, ndoshta për herë të parë, i bënë njerëzit që të druhen nga e vërteta. Si votuesit e njërit krah, edhe të krahut tjetër u ndjenë në turp që të thonë “do të votoj për Hillary”, ose “do të votoj për Donald”. Hillary akuzoi rivalin si “seksit”, edhe Donald akuzoi Clintonët si “rapistë” (përdhunues). Në të dyja anët kishte prova; shumë prova, nganjëherë prova tragjike. Prandaj votuesit u ndjenë të turpëruar të thonë “për këtë do të votoj!”.
-Për cilin voton ti, ore? Për atë grua të atij burri? Për gruan sekretare që e kishte Humanë si grua?
-Për cilin voton ti? Për Trump-in që nuk ka lënë femër pa ngacmuar?
… Ja kështu ra poshtë këtë herë fushata në Amerikë. Për herë të parë në historinë moderne të Amerikës, të dy kandidatët janë njësoj të pabesueshëm. Diku te 60 për qind e njerëzve të intervistuar në sondazhe dhe fondacione, kanë deklaruar se “nuk e pëlqejnë” Trump-in. Nuk kanë kaluar, veçse pak ditë dhe po këta të 60 për qind kanë thënë “nuk e pëlqejmë” Clinton-in. Precedenti më i keq i historisë- kur shumica e votuesve (60 për qind) nuk e duan kandidatin për President në Amerikë. Kjo do të thotë Amerika do të ketë një President të zgjedhur vetëm nga 40 për qind të votuesve.
Atëherë si mund të jenë të besueshëm anketuesit?
Politika iu dhe zgjedhjeve temperatura herë përvëluese, herë akullnaje. Shteti i madh e kishte këtë fuqi saqë i reflektoi temperaturat jo vetëm brenda vetes. I vuri votuesit të besojnë se “po vjen Sfida e Tetorit”. Pastaj erdhi “sfida e Nëntorit”. FBI luajti me Kongresin; ditën e fundit tha “nuk paska qenë gjë”. Presidenti i Amerikës doli në fushatë si militant i Partisë. Assange deklaroi se “nuk e lënë Trump-in të zgjidhet president”. Sa pak njerëz folën mbi dinastinë në Shtëpinë e Bardhë!, përveç votuesve me njëri tjetrin. Sfidat ishin të tepërta (over) pë trurin e njerëzve të zakonshëm amerikan: Pse u vranë kaq shumë amerikanë në “luftë të kotë”? Kush e krijoji ISIS-in, po 11 Shtatorin? Po Benghazin? Po Rusinë kush e mban në gji?… Sa shumë për votuesin. Atëherë, si mund të besohen “polle-t”?
Nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë nesër. Në Amerikë përsëritet Brexit-i, por jo fshehurazi si atje. Tani nuk është fajtor më ai që “predikon” rezultate, por naivi që beson.
/VERITAS.COM.AL/