Anëtarët demokratë të Kongresit në SHBA kërkuan që sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth të heqë dorë nga plani mbrojtës “Kupola e Artë” i administratës së presidentit Donald Trump, me arsyetimin se është jashtëzakonisht i kushtueshëm.

Kongresistët e përbërë nga 13 anëtarë të Kongresit, përfshirë senatorët demokratë Ed Markey, Jeff Merkley, Elizabeth Warren, Chris Van Hollen, senatorin e pavarur Bernie Sanders dhe disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, i dërguan letër sekretarit Hegseth.

Në letër thuhet se plani i “Kupolës së Artë” i administratës së Trumpit prej rreth 175 miliardë dollarësh për mbrojtjen e vendit është “jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe jofunksional nga ana operative” dhe se mund të dëmtojë sigurinë e SHBA-së dhe të botës duke “nxitur një garë armësh bërthamore me Rusinë dhe Kinën”.

Letra përcjell shqetësime se “Kupola e Artë” më shumë do të “shpërdorojë” dollarët e taksapaguesve amerikanë se sa të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve me raketa dhe se kundër një sulmi të mundshëm është i nevojshëm një “sistem shumë më i madh, më i përparuar teknologjikisht dhe i kushtueshëm”.

Në letrën ku kërkohet braktisja e planit të “Kupolës së Artë”, vihet në dukje se sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane duhet të “synojnë t‘i kundërvihen kërcënimeve të kufizuara dhe jo ndaj Rusisë dhe Kinës”.

Letra drejtuar Departamentit kërkon përgjigje të hollësishme për pyetje të ndryshme deri më 21 korrik, përfshirë qëllimin e programit dhe planin e shpenzimeve që vlerësohet të arrijë në 175 miliardë dollarë.

– Plani “Kupola e Artë” i presidentit Trump

Presidenti amerikan Trump më 20 maj bëri njoftimin zyrtar në lidhje me sistemin mbrojtës “Kupola e Artë”, për të cilin ka folur një kohë të gjatë.

Trump deklaroi se sistemi do të zbatohet para përfundimit të mandatit të tij dhe se kostoja totale e ndërtimit të tij do të ishte afërsisht 175 miliardë dollarë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *