Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit për Fredi Belerin. Mësohet se Beleri është paraqitur në seancë bashkë me Pandeli Kokaveshin.

Gjatë procesit avokatët e Belerit kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Daniela Sharka, pasi sipas tyre nuk është e caktuar me short.

Megjithatë për këtë kërkese të tyre prokurori Adnand Xholi ka thënë se kjo nuk e pezullon procesin dhe se sipas tij seanca duhet të vijojë.

Po të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe gjykata duke thënë se kërkesa e avokatëve për përjashtimin e gjyqtares nuk është shkak për ndërprerje të seancës dhe se gjykimi do të vijojë procesin.

Diskutimet gjatë seancës:

Në këtë seancë avokatët e Belerit janë shprehur: “Çështja është caktuar në mënyrë manuale këtij trupi gjykues dhe nuk është zgjedhur me short. Në këto kushte veprimi procedura është i pavlefshëm, pasi relatori caktohet me short. Kërkojmë përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka në cilësinë e kryesueses, sepse nuk jeni caktuar me short. Ne do të depozitojmë kërkesë me shkrim për përjashtim”.

Nga ana e tij prokurori Adnand Xholi ka theksuar: Është një kërkesë që nuk e pezullon procesin gjyqësor dhe për ne duhet të vijojë seanca.

Gjykata: Kërkesa për përjashtim nuk është shkak për të ndërpresë seancën. Gjykimi do të vijojë procesin

Avokatët e Belerit: Nuk janë respektuar afatet për njoftimin e avokatëve dhe nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive për Belerin

Avokatja Klodiana Gjyzari në mbrojtje të Belerit: Nuk na është dhënë koha e nevojshme për të bërë mbrojtjen. Fakti që ju keni thirrur mbrojtësit tregon që do të vijojë seanca dhe unë si avokate e zgjedhur nuk mund të lejoj që mbrojtja të bëhet prej tyre.

Avokatët e Belerit: Beleri e ka kundërshtuar në çdo moment procedural akuzën e prokurorisë. Autorizimi për përgjimin dhe vëzhgimin ndaj Belerit dhe stafit elektoral ka dalë në kundërshti me ligjin

Beleri është i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Pas zgjedhjes si eurodeputet nga listat e kandidatëve të partisë “Nea Demokracia” në Greqi, Fredi Beleri ka krijuar një ngërç politik edhe ligjor.