Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani është paraqitur mesditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës, pas thirrjes së këtij institucioni për çështjen e kontratave të lobimit. Top Channel raporton se Ristani ka mbërritur në prokurori me vullnetin e tij dhe do të merret në pyetje nga prokurorët Gjergji Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.

I pandehur në këtë çështje është edhe vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, si dhe ekonomisti i kësaj partie, Ilir Dervishi.

Prokuroria urdhëroi dje shoqërimin e detyruar për zyrtarët e PD-së, pas refuzimit të këtyre të fundit për t’u paraqitur vullnetarisht.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’,  plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Veritas.com.al/