Policia e Tiranës mëngjesin e sotëm ka reaguar për të gjithë misterin që mbuloi çështjen e arrestimit të ish deputetit Alqi Bllako. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka thyer heshtjen që na shoqëroi për disa orë, duke thënë se Alqi Bllako ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sipas policisë Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë  “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. GJKKO caktoi në mungesë masën e sigurisë të arrestit me burg ish deputetit socialist, tashmë pa imunitet, të vënë në akuzë për aferën e inceneratorit të Fierit.

‘Drejtoria e  Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë  “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.’- njofton policia.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK, një ditë pasi ai dorëzoi mandatin e deputetit. Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.