Tre janë akuzat që rëndojnë mbi Jurgi Çyrbjan, ish deputetin socialist i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Përmes një deklarate zyrtare, SPAK sqaron se mbi Çyrbjan rëndon akuza e për tregim të sekretit shtetëror, përkrahje të autorit dhe kriimt dhe korrupsion aktiv në zgjedhjet.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Çyrbja ka komunikuar me anëtarë të një grupi kriminal edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni Jurgis Çyrbja, konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror, i është transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, Çyrbja është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim.

Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se Çyrbja, në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.

Çyrbja, për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar,  Hajrit, duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore.

Nga ana tjetër, Altin Hajri, në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga Çyrbja, i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 3 (tre) vendimet e gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

1.      Pesë telefona celularë;

2.      Një hard disk i jashtëm Verbatim;

3.      Një pajisje regjistrimi në formë pakete;

4.      Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;

5.      Dokumente pronësie, etj;