Dritan Rexhepi kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello” është arrestuar në Stamboll.
Dritan Rexhepi njihet si kreu i një karteli droge që transporton kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Po ashtu ai akuzohet se ka urdhëruar marrjen peng dhe vrasjen e Jan Prengës.
Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap gjatë një operacioni në Stamboll. Gjatë arrestimit iu gjet pasaporta e falsifikuar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Lajmin e ka konfirmuar ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya. Ministri tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane.
Ndër të tjera ministri Yerlikaya, i cili njoftoi operacionin në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deklaroi se policia e Stambollit arrestoi liderin e kartelit Rexhepi në Beylikdüzü si rezultat i ndarjes së informacionit me policinë italiane.
Ministri Yerlikaya tha: “Lufta jonë kundër tregtarëve të drogës dhe organizatave të krimit të organizuar do të vazhdojë të rritet me vendosmëri.”.
Mediat turke bëjnë me dije se gjatë arrestimit, Rexhepit iu gjetën euro dhe bizhuteri me vlerë të madhe.