31-vjeçari Ilvi Meta u gjet i varur këtë të mërkurë në komisariatin e Kavajës, pasi ishte arrestuar për vjedhje.
Sipas informacioneve ai është gjetur i vetëvarur në qeli. Policia e ka gjetur me shenja jete, ai u transportua në spital por nuk mundi të mbijetonte.
Agim Meta, babai i djalit në një lidhje telefonike tha për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat se djalin e akuzuan për vjedhjen e një dere alumini, duke e marrë padrejtësisht në polici.
Ai hedh akuza ndaj policisë duke theksuar se do ta zbardhë vetë këtë ngjarje dhe se nuk ekziston mundësia që djali të vetëvritej.
“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjell, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shpia se ka ndodh diçka. Si mund të vetëvritesh?!
Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion. S’më kanë thënë asgjë, do ta zbardh këtë gjë”, tha babai.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe policia me një deklaratë, ku thotë se mbi të ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve.
“Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku ka humbur jetën një shtetas i arrestuar, dyshohet i vetëvarur në qeli, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor. Shtetasi I.M., 31 vjeç, ishte arrestuar sot me vendim të Gjykatës së Rrethit Kavajë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve. Menjëherë pas marrjes dijeni të ngjarjes, AMP ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave, mekanizmit të ngjarjes, si edhe nxjerrjen e përgjegjësive. Në fund të këtyre hetimeve, AMP do të ketë një komunikim më të detajuar”, sipas njoftimit të policisë.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë po hetohet për punonjësit e policisë të cilët ishin në detyrë këtë të mërkurë.
Deputeti Dashnor Sula hedh dyshime për vdekjen e të riut brenda komisariatit të policisë së Kavajës. Përmes një postimi në rrjetin social ai kërkon të hetohet me profesionalizëm për zbardhjen e ngjarjes dhe shkakun e vërtetë të vdekjes brenda policisë.
Ky është rasti i dytë që një person ndërron jetë brenda ambienteve të komisariatit. Vetëm një muaj më parë, një 26-vjeçar ndërroi jetë në komisariatin e Kamzës.
Arben Mici, i arrestuar për “Dhunë në familje”, dyshohet se i vuri zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronte, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ai ndërroi jetë në spital, ndërsa u plagos një polic dhe i arrestuari tjetër Dilaver Idrizi.