Reperi i njohur me emrin e artit Vinz është arrestuar së bashku me të dashurën e tij, pasi ka tentuar të vrasë pronarin e një hoteli në Tiranë, pse ky i fundit nuk e la të hynte pa kartë identiteti. 30-vjeçari Ervin Selita i njohur si Vinz gjatë konfliktit brenda ambienteve të hotelit, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pronarin e hotelit Zeni Xhindi.
Ngjarja nisi kur 30-vjeçari fillimisht u konfliktua me recepsionistin e hotelit se nuk e la te hynte në hotel me të dashurën e tij pa i dhënë kartën e identitetit, por më pas sherri agravoi edhe më tej ku u përfshi edhe pronari i hotelit. Kjo ka bërë që 30-vjeçari të nxirrte armën dhe ta vriste, por ka ndërhyrë policia.
Vinz është një reper i njohur, me origjinë nga Bulqiza dhe jeton në Londër. Ai është i njohur, jo shumë për muzikën e tij, sesa për përfshirjen në bandën ‘Hellbanianz’ në Londër, që kontrollojnë tregun e kokainës atje. Gazeta britanike, Daily Mail, i ka kushtuar edhe një artikull kësaj bande, ku shkruante se përdorin muzikën si një ‘trampolinë’ për qëllimet e tyre kriminale, me këngë me tekste të dhunshme, ku ekspozonin edhe jetën e tyre luksoze.
30-vjeçari Ervin Selita do të përballet me veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”; dhe e dashura e tij E. D., 30 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim edhe dy shokët e 30-vjeçarit Xhuliano Selita dhe Erjon Mici, të cilët i erdhën në ndihmë gjatë konfliktit dhe me pas fshehën armen me të cilën ky qëlloi për të varë pronarin e hotelit.