Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se kjo gjë u arrit pas negociatave dy ditore që u bë nga delegacionet e dy shteteve.
“Ne e kemi një marrëveshje. Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalimin e situatës në veri është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar Lajçak.
Marrëveshja e arritur përmban tre pika
Pika 1:
“Forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”
Pika 2:
“Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.
Pika 3:
“Do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.