Mesditën e 3 dhjetorit, në Aeroportin e Shkupit janë ulur dy aeroplanët me trupat e viktimave të autobusit, i cili u dogj më 23 nëntor në një autostradë të Bullgarisë.

Në pistën e aeroportit, trupat e viktimave janë pritur nga një delegacion i lartë shtetëror.

Bartja e kufomave u bë me dy aeroplanë ushtarakë – transportues.

Agjencia maqedonase e lajmeve “Alsat” ka njoftuar se fluturimi u zgjat për disa orë, për shkak të motit të keq në Sofje.

Rreth orës 09:00 të mëngjesit nga Aeroporti i kryeqytetit bullgar u nisën trupat e 45 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident, ku autobusi me të cilin po udhëtonin nga Bullgaria për në shtetin e tyre, u përfshi nga flakët, natën e 23 nëntorit, në autostradën “Strum” në afërsi të qytetit Pernik.

Mbrëmë vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në Aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza.


Aeroplanët ushtarakë që transportuan kufomat e qytetarëve maqedonas, nga Bullgaria

“Ju njoftojmë se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në Aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza”.

“Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesat e disa familjeve të viktimave, në mënyrë që trupat të dorëzohen para namazit të Xhumasë. Për qytetarët që duan të bëjnë nderime, mbetet mundësia që këtë ta bëjnë në sheshin ‘Skënderbej’, nga ora 10 deri në 13:00″, bëhet e ditur në shkrimin e MPJ-së në Facebook.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhënies mes Bashkësive, Artan Grubi, në takimin me ambasadorin e Bullgarisë, Angel Angellov, më 2 dhjetor, ka falënderuar për ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve bullgare, me qëllim të zbardhjes së ngjarjes tragjike në të cilën e humbën jetën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut, si dhe trajtimi dhe kujdesi i ofruar për të mbijetuarit.


Autobusi maqedonas i djegur në autostradën “Strum”, në afërsi të qytetit bullgar, Pernik

Instituti joqeveritar bullgar për Siguri në Rrugë ndërkohë ka angazhuar një revizor ndërkombëtar, që të bëjë kontroll të paanshëm profesional të situatës në rrugë në autostradën Struma.

Siç informon korrespodenti i Agjencisë maqedonase të lajmeve (MIA) nga Sofja, gjatë kontrollit është konstatuar se rrethojat mbrojtëse nuk janë vendosur në përputhje me kërkesat. Po ashtu, në vendin ku ndodhi aksidenti, më parë kanë ndodhur shumë aksidente, ndaj rrethojat mbrojtëse ishin të dëmtuara.

Në këtë rast, ka pasur instalim të sërishëm të objektit në korsinë e mesme ndarëse. Nga Instituti për Siguri në Rrugë sugjerojnë se në rajonin e njëjtë ndoshta ka pasur edhe më parë aksidente rrugore në trafik.

Lidhja e rrethojës mbrojtëse ishte montuar gabimisht me dy në vend se me katër vida, siç është dashur. Ky është, bëjnë të ditur, shkaku për çka rrethoja mbrojtëse është thyer edhe krahas shpejtësisë së vogël me të cilën ka goditur autobusi.

“Seksioni i kobshëm ‘Struma’ është vënë në përdorim para 20 viteve pa Akt 16. Është konfirmuar edhe se mungojnë shenja dhe se ka shenja të dëmtuara. Është dërguar raport edhe në Agjencinë për Infrastrukturë Rrugore, ndërsa ky informacion duhet të kontrollohet nga organet hetuese të Bullgarisë”, thonë nga organizata joqeveritare.


Autobusi nga Maqedonia, i djegur në qytetin bullgar, Pernik

Ndërkohë, dje prokurori Biser Mihaillov dhe hetuesi Marian Marinov, të cilët punojnë në zbardhjen e rastit të tragjedisë, deklaruan për televizionin BTV, se dihet shkaku për zjarrin dhe lokacionin nga burimi i tij fillestar në autobusin me turistë nga Maqedonia e Veriut gjatë kthimit nga Stambolli.

Siç informon korrespodenti i MIA-s nga Sofja, Marian Marinov, ka refuzuar të zbulojë shkakun e zjarrit dhe ka thënë se “do t’ua lë ekspertëve”, të cilët tashmë kanë “tezat” e tyre.

Por, hetuesi komenton se në autobus ishte “varur” një copë e madhe e rrethojës mbrojtëse në gomën e derës hyrëse, ishte gjetur “harmonikë e lakuar” dhe “shkatërruar cisternë plastike”.