Frrok Çupi

Nuk ka më shumë se 29 vjet jetë, por Partia Demokratike duket si një krijesë e harruar parahistorike. Tani PD nuk ka asgjë të dukshme mbi tokë, as relike në Parlament, as në pushtetin vendor, as në mençurinë e popullit, as në shtresëzimet e kulturës, as në ligjin e demokracisë. PD ka humbur.

Por edhe në mes të errësirës ndodh që vjen një lajm i mirë, njësoj siç sjellin arkeologët lajme të mira nga qytetet dhe qytetërimet e humbura… Kështu po ndodh herë pas here edhe me Partinë Demokratike, ‘mumjen’ e parë të pluralizmit politik në Shqipëri. Ajo PD që e deshëm si dritën e diellit, që i dhamë jetën dhe i dedikuam shpresën, pak nga pak perëndoi nën kodrinat e lidershipit të ri pa fe e pa ide.

Por ja që ka arkeologë, ose disa zbulues të tjerë në vend të arkeologëve, që na sjellin dëshmi si eshtra të fortë me të cilat tregojnë çfarë ka qenë kjo krijesë, atëherë e gjithëpushtetshme dhe e dashur për popullin, për individin, për moralin, për mençurinë dhe për aleatët.

Nuk po shpresoj aq shumë te zërat e vërtetë të lideshipit politik të mesëm që i fundosen dhe që herë pas here ngrihen nga fundi i detit dhe thonë se ‘ka qenë Partia Demokratike’. Disa prej tyre janë edhe studentë të Dhjetorit dhe dëshmia e tyre është emocionuese; por njeriu është mërzitur edhe me ‘Dhjetorin 1990’ përderisa këta të tanishmit e rrënuan dhe djallosen gjithë fytyrën e demokracisë. Përderisa këta tradhtuan edhe Himnin e Flamurit Kombëtar, që thotë se ‘Prej lufte veç ay largohet/ Që është lindur tradhëtor’. Lidershipi i PD tradhtoi votuesit e vet dhe u largua nga përfaqësimi në Parlament e në institucionet e ligjit e të të drejtës, pastaj luajti me njerëzit si të ishin budallenj dhe u tha se kjo është ‘fitore’, më parë- për turp- rroku armët për të marrë pushtetin…

Por paska mbetur akoma një shenjë besimi, si të thuash një mumje e dëshmisë së ‘faraonëve’ të lirisë dhe aspiratës për shtetin e të drejtës. Ndryshe PD kishte për të humbur ose për të mos u besuar kurrë më. Edhe këtë herë, si në themelimin e PD, intelektualët dhe artistët po kthehen në arkeologë për të zbuluan ADN-në e PD..

Shikojeni çfarë ndodhi: Artistët e mëdhenj e të vërtetë po thërrasin për modernizimin e Teatrit, të jetës dhe të shtetit. Ata janë radhitur në kahjen e  perspektivës dhe të modernizimit; ata po kërkojnë një teatër të ri në vend të gërmadhës që fatkeqësisht akoma quhet teatër. Të gjithë të mëdhenjtë e artit që po kërkojnë modernizimin e Teatrit dhe të qytetit, të gjithë janë artistë që ose themeluan PD-në, ose u lidhën si mishi me kockën me PD-në, ose që i dhanë lavdi PD-së. Ja ku janë: Naim Frashëri i pavdekshëm, që në të gjallë; Mihallaq Luarasi që erdhi nga burgu i Spaçit drejt në PD; Robert Ndrenika që nuk e lidhi asgjë me komunizmin veçse me Demokratiken; Rajmonda Bulku, një nga themelueset e para të PD… Ndriçim Xhepa, aktivist dhe deputet i PD…

Po të mos ishin këta në krahun e modernizimit të kulturës dhe të jetës, atëherë sipas zërave të tjerë, PD do të dilte se është në krahun e vjetërsirës dhe të prapambetjes. Po të mos ishin këta në krahun ku janë, atëherë do të dukej se teatrin modern e mbrojnë ‘komunistët’, siç po i quajnë tani këta të maxhorancës.

Mbi të gjitha, po të mos ishin këta artistë të mëdhenj vetë ‘arkeologët’ që hapën tunelet për të zbuluar se PD i përkiste frymës moderne, atëherë PD do të mendohej sikur kjo e sotmja paska qenë që në fillim…

Se brezat po ndyshojnë dhe kush e mban mend çfarë ishte dikur PD!, kjo sotmja është tjetër gjë, krejt.

VERITAS.COM.AL/