Kryeministri Edi Rama me anë të një video ku u drejtohej qytetarëve u është përgjigjur akuzave të mbërritura nga ana e opozitës se ‘po fshihen viktimat e COVID’.

Rama ka thënë se kjo nuk është demokraci nëse kundërshtarët gënjejnë dhe hedhin shpifje ndaj qeverisë.

Kryeministri, Rama më tej tha se këto akuza vijnë nga një grup pakice që nuk bën gjë tjetër veçse sehir. Ai ka komentuar edhe qëndrimin e tij duke thënë se nuk është arrogancë, por tregues i pasionit për punën.

“Një pakicë ë zhurmshe, shan akuzon dhe gjuan me gurë ata që janë në frontin e kësaj lufte, për ët shpëtuar sa më shumë jetë deri tek ata që ndihmojnë këtë luftë ku kontribuojnë. Nuk jam këtu për tu ankuar prej pakicës për baltën që hedhin. Nuk ankohem për vetë se mua më bëjnë më të fortë dhe më japin më shumë energji. Thonë se nuk i dua kritikat. Është e pavërtetë, por ka ndrysim mes kritikave dhe sharjeve apo shpifjeve. Shumë kush ma quan arrogancë por duhet të shohin edhe si shprehje e pasionit të madh që më mban në këtë detyrë. Pasionit të madh për Shqipërinë që dua për fëmijët tanë. Të shash dhe të shpifësish nuk është Lulzim i Demokracisë. Nuk mund të ndahemi politikisht për numrin e vdekjeve apo inskenime me foto nga morgu i spitalit. Në mes të një lufte si kjo mund të sfidohet. Nuk mundet që deri edhe Presidenti të ketë komitet alternativë. Njëri thotë qeveria të blejë maskat komiteti tjetër thotë nuk ekziston virusi. Kjo është papërgjegjshmëri. Ne mund të ndahemi për rrugën si mund të mbështetet ekonomia. Nuk mund të jemi rasti unik në Evropë ku qeveria lufton për të mbrojtur jetë, dhe opozita me Presidencën në aleancë me kovidin nxisin frikën, panikun duke shpërndarë foto nga morgu i spitalit. Është jonjerëzore. Vala e dytë po trondit mbarë botën dhe të bësh politikë me lajme të rreme edhe për të vdekurit.” tha Rama.

“Kur barra mbi shpatullat e mjekëve po prek shumë, të dalësh të thuash po fshihen numrat, do të thotë të kalosh kufijtë. Brutalisht ç’njerzore. Si mund të ngacmohet deri në këtë pikë teksa një sëmundje kërcënon çdo familje. Shkel harbutërisht dhe të provokojë deri në palcë, të fus tmerrin në cdo familje që ka të prekur një pjestarë me virus. Ky nuk është karakteri i vendit dhe i popullit as i politikës në vetvete dhe as i shumicës që qeveris vendin. Është manifestim ekstrem i karakterit të dobët, që kanë penguar Shqipërinë të marr frymë lirisht. Duke u shfaqur me papërgjegjshmëri. S’ka më turp se kaq. Në këtë pikë nuk imagjinohet më se ku mund të shkojë akoma paturpësia. Cfarë janë ata që humbasin jetën…vota janë? Kush janë mjekët, anëtarët e komitetit Nishani apo këshilltarët e presidencës? ” ka shtuar ai.

“Prokuroria e di vetë punën, nëse do e shohë të arsye që të përfshihet në këtë marrëzi politike, askush nuk do e pengojë, duhet mbajtur shënim nga një gjykatësoi një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si popull, virusi nuk na ndan dhe ky episod i luftës së shëmtuar për pushtet nuk duhet harruar nga asnjë shqiptar si një akt përçarjeje mes nesh, në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë, që mund të nxisë edhe dhunën në rast se një familjarë mund të humbasë të afërmin e tij.”

Deklarata e plotë e Ramës: 

“Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!  Motra dhe vëllezër! Vendosa t’ju drejtohem sot me këtë fjalë, duke ju parë të gjithëve drejt në sy pa dallim, si njëri prej jush, si shqiptar mes shqiptarësh, që ndryshe nga të gjithë ju dhe falë jush të gjithëve, kam nderin e pashoq dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme të jem në krye të punëve të vendit në kohën e një sprove kaq të pashembullt, sa përballja me kërcënimin ndaj shëndetit dhe vetë jetës sonë. Kjo është një sprovë e përbotshme, e cila prej 9 muajsh po sfidon egërsisht të gjitha shtetet, sistemet shëndetësore, njerëzit pa dallim kombësie dhe shtrese shoqërore. Kjo është një sprovë e jashtëzakonshme për shkencën, mjeksinë, politikën, qeverisjen, patjetër dhe mediat, sigurisht Por, mbi të gjitha, kjo është një sprovë për karakterin e kombeve, shoqërive dhe individëve, pavarësisht gjuhës, gjinisë, ngjyrës apo bindjeve dhe opinioneve të ndryshme.Këtë sprovë,  ashtu si dhe sprovën e përballimit të pasojave të rënda të tërmetit të  një viti më pare, ne shqiptarët nuk e kemi zgjedhur, por jemi të sfiduar ta përballojmë me forcën e karakterit tonë. Askush nuk mund të fajësohet se vendi dhe populli goditen nga një tërmet apo nga një pandemi. Por mënyra e reagimit ndaj goditjeve të tilla tregon se kush jemi secili prej nesh, si njerëz, si qytetarë, si bashkësi e gjendur nën agresionin e një fuqie jashtë nesh. Tërmeti godet fort në një kohë tejet të shkurtër dhe lë pas pasojat në një kohë të gjatë sprove të rimëkëmbjes. Ndërsa virusi godet nga pak, por në një kohë të tejzgjatur dhe pasojat sprovojnë përditë dhe përditë rezistencën tonë si individë, si qytetarë dhe si bashkësi. Por në të dyja rastet del në pah karakteri ynë, jo vetëm si popull dhe si familjarë, por dhe si zëdhënës të publikut në media dhe në politikë dhe patjetër, edhe si udhëheqës gjithashtu. Unë jam sinqerisht krenar për se si ne si popull kemi reaguar në të dyja rastet e për se si njerezit në shumicën e tyre dërrmuese janë bashkuar, qoftë duke ndihmuar fatkeqët e 26 nëntorit të shkuar, qoftë duke bërë pjesën e tyre të sakrificës në këta muaj kaq të gjatë përballjeje me virusin që po sprovon mbarë botën. Ashtu sikundër,  jam shumë krenar si kryeministër për se si forca të këtij shteti janë vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë, që nga mijëra djem dhe vajza, gra dhe burra të Forcave të Armatosura, të atyre të policisë, të Urgjencës Kombëtare dhe të strukturave civile pas goditjes nga tërmeti, deri tek forcat e sistemit tonë shëndetësor që nga bluzat e bardha në vijën e zjarrit, tek çdo ekspert dhe strukturë e deri tek çdo mjek familje, pa harruar edhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe Ministren tonë të Shëndetësisë gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë nën goditjen e armikut të padukshëm. Por, gjithashtu, jam shumë i keqardhur që kjo dalje e imja sot u provokua nga krejt e kundërta e karakterit të fortë  dhe e virtyteve që e kanë karakterizuar pozitivisht përballjen shqiptare me dy të këqijat e mëdha të një viti të tërë. Teksa shumica e popullit bën më të mirën e vet në këto kushte kaq sfiduese, një pjesë tjetër, një pakicë e zhurmshme, qendron mënjanë, bën sehir, shan, akuzon, gjuan përditë me gurë në drejtim të kujt rri pa gjumë, shërben, sakrifikon cdo ditë në frontin e kësaj lufte të pambarimtë nervash, që nga ata që u shërbejnë në kokë të sëmurëve, për të shpëtuar sa më shumë jetë nga kthetrat e këtij virusi të pabesë deri tek ata që ndihmojnë këtë luftë nga cdo pozicion ku kontribuojnë.  Hiqmëni mua nga kjo radhë e gjatë njerëzish që po bëjnë të pamundurën. Nuk jam këtu për t’u ankuar për baltën dhe për pështymat që marr përditë prej pakicës së zhurmshme. As nuk do të ankohem ndonjëherë për veten, sepse mua personalisht të sharat e panumërta, besojeni ose jo, më bëjnë thjesht më të fortë dhe realisht më japin më shumë energji për t’i udhëhequr betejat tona në çdo fushë. Thonë që nuk i dua kritikat dhe mendoj se kam gjithmonë të drejtë. Është thjesht e pavërtetë. Por, sifoqoftë, ka një ndryshim të madh si dita me natën mes kritikave e sharjeve dhe shpifjeve. Këto të fundit ma ndezin gjakun, mbase më shumë seç duhet, kur më duhet të përballem me publikisht me sharësit e me shpifësit. Shumëkush ma quan arrogancë, nuk e di, ndoshta. Por ndoshta duhet ta shohin edhe si shprehje të pasionit të madh që më mban në këtë detyrë pa pushim e pa orar, pasionit të madh për Shqipërinë që më është besuar dhe Shqipërinë që dua për gjithë fëmijët tanë.  Ne mund të kemi opinione të ndryshme për punën dhe ngjarjet, kjo quhet demokraci. Por të shash dhe të shpifësh nuk është as çështje opinionesh të ndryshme dhe as lulëzim i demokracisë. Patjetër që edhe në mes të një lufte si kjo mund të kemi opinione të ndryshme për shumëçka, por ne nuk mund të ndahemi politikisht edhe për numrin e të vdekurve, apo fatkopërisht të bëjmë politikë deri dhe me inskenime fotografike nga morgu i spitalit. Kjo nuk është më demokratike, por është haptazi jo njerëzore. Patjetër në mes të një lufte si kjo, mund të sfidohet, jo qeveria po e po, por edhe ekspertiza e komisionit shkencor të venë në dispozicion me armikun e padukshëm, por nuk mundet që deri dhe Presidenti i Republikës të krijojë komitetin e tij alternativ, edhe opozita të krijojë komitetet e veta alternative, ku njëri komitet thotë qeveria të blejë maskat për çdo qytetar që të mbrohet nga virusi, ndërsa komiteti tjetër thotë virusi nuk ekziston dhe qytetarët të shkojnë në kisha e xhamia për t’u lutur kundër qeverisë. Kjo nuk është demokratike, por është haptazi papërgjegjshmëri jo njerëzore.  Patjetër që në mes të një lufte si kjo, ne mund të ndahemi për rrugën sesi duhet mbështetur ekonomia. Kjo madje mund të ishte e shëndetëshme, nëse sharjet dhe shpifjet nuk do shoqëronin në vend të argumenteve çdo plan alternativ me 3, 5 apo me 7×7 pika. Por ne nuk mund të jemi rasti unikal në Europë, ku qeveria lufton orë e çast kundër COVID-it për të mbrojtur çdo jetë shqiptare dhe opozita, bashkë me Presidentin bëjnë aleancë me COVID-in, për të rrëzuar qeverinë, duke nxitur panikun e  ushqyer ankthin, pasigurinë, frikën, në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe duke shpërndarë fotografi klandestine nga morgu i spitalit. Kjo nuk është as demokratike dhe as shqiptare, por është haptazi jo njerëzore. Ashtu siç nuk është as demokratike, as shqiotare, pod haptazi jo njerëzore, që në kulmin e kësaj lufte, kur vala e dytë po trondit mbarë botën, me rritjen e rrufeshme të numrit të të infektuarve, të bësh politikë me lajme të rreme, deri edhe për të vdekurit.  Sot, kur pesha e ngarkesës shëndetësore të çdo shteti po arrin në kufijtë e të paperballushmes dhe barra mbi shpatullat e mjekëve dhe infermierëve po prek kufijtë e mbinjerëzores, të dalësh e t’i thuash popullit që qeveria po fsheh numrin e të vdekurve, do të thotë të kapërcesh çdo kufi të demokracisë, madje edhe çdo kufi të luftës më të çartur për pushtet. Kjo është brutalisht çnjerëzore. Si mund të arrihet deri këtu, sado i dobët qoftë karakteri i një lidershipi politik!  Si mundet të ngacmohet deri në këtë pikë psikika e një populli nën agresionin e një sëmundjeje që kërcënon njerëzit e dashur në çdo familje! Si mundet të cënohet deri në këtë farë feje integriteti njerëzor, jo thjesht profesional i një armate të tërë mjekësh që prej 9 muajsh janë të detyruar të harrojnë familjet e tyre, fëmijët e tyre, prindërit e tyre, për t’u qëndruar tek koka familjeve, fëmijëve, prindërve të çdonjërit prej nesh! Si mundet të bjerë kaq poshtë qenia politike, sa të shkelë harbutërisht qenien njerëzore brenda saj dhe të provokojë deri në palcë çdo familje që në këtë kohë të mallkuar, fatkeqësisht ka humbur një të dashurin e vet e të fusë tmerrin në çdo familje që ka dikë të prekur nga ky virus vrastar! Si mundet të flihet më gjumë, pasi arrin të nxjerrësh nga goja një të tillë makabritet, duke trajtuar një popull të tërë si një fuqi të verbër, e cila duhet nxitur deri në fund drejt hakmarrjes ndaj atyre që, sipas kësaj pandehme çnjerëzore, përdorkan pushtetin për të manipuluar numrin e të vdekurve. Ky nuk është karakteri i këtij vendi. Ky nuk është karakteri i këtij populli. Ky nuk është as karakteri i politikës në vetvete dhe asesi, karakteri i shumicës që qeveris sot këtë vend. Ky është një manifestim ekstrem i atij lloj karakteresh të dobëta që në krejt historinë tonë kanë bërë dëme të mëdha në kohëra vendimtare dhe e kanë penguar Shqipërinë dhe popullin shqiptar të marrë frymë lirisht, duke u shfaqur gjithnjë në momentin e në vendin e gabuar me të gjithë papërgjegjshmërinë e dobësisë së tyre. Nuk ka më turp se kaq!Megjithatë, as këtë nuk e thua dot më sepse në fakt, në këtë pikë nuk është dot më e imagjinueshme se deri ku mund të shkojë akoma paturpësia ndaj vendit e ndaj njerëzve të këtij vendi. Po pse, çfarë janë ata që humbasin jetën në spitale COVID? Vota që humbasin gjatë numërimit kur bëhen zgjedhjet në Partinë Demokratike? Apo kuti këpucësh me lekë të zeza, që nisen nga Gjiri i Lalzit drejt burimeve mediatike? Po pse, kush janë mjekët e vijës së zjarrit në këtë luftë për jetë a vdekje, anëtarët e komitetit Nshani, që u mblodhën për të zhdukur nga lista e deputetëve djalin e Fahriut?Apo këshilltarët e Pesidencës, që shpërndajnë si zogjtë e korbit nëpër botë lajme të rreme për Shqipërinë? Mos vallë profesorët me bluza të bardha, të cilët prej vitesh e vitesh firmosin çdo kartelë mjekësore pacientëve që fatkeqësisht humbin jetën në spital janë njësoj si akuzuesi i tyre që mohon edhe firmën e vetë, pasi financon fushatën e partisë me para që nuk dihet nga vijnë?Apo mos vallë të vdekurit në spital mund të treten në ajër, si ata të  shkretët në videon e humbur të masakrës së Krushës për të cilën i akuzuari nga dëshmitarët di vetëm të shajë e të akuzojë dëshmitarët? Apo ndoshta viktimat e COVID mund të fshihen? Siç u fshinë serverat e videove të sigurisë të Kryeministrisë, të nesërmen e 21 janarit? Kanti thoshte se kush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte po të ishte në vendin tënd dhe karakteret e dobëta, që dallohen qartë, ndër të tjera, kur akuzojnë pa asnjë provë të tjerët, janë vërtetë në gjendje ta bëjnë vetë pikërisht atë për të cilën i akuzojnë të tjerët. Pak rëndësi ka pastaj, nëse bëhet fjalë për të manipuluar një formular votimi zgjedhjesh në parti, për të tretur një kasetë krimesh kundër njerëzimit, apo për të falsifikuar një listë personash të vdekur në spital. Po për fat të mirë nuk ka asnjë mundësi teorike, jo më praktike, që qeveria të fshehë numrin e viktimave në spital, ashtu sikundër nuk ka asnjë parti normale politike në planet që të përcaktojë diagnozën e pacientëve që humbin jetën në spital dhe të ngrejë akuza që ngre dhe të vdekurit nga varri. Diagnoza e pacientëve është përgjegjësi jo vetëm profesionale, por dhe ligjore e çdo mjeku në spitalet tona, ashtu siç është dhe akuza për fshehjen e vdekjeve, jo vetëm papërgjegjshmëri politike qytetare, por dhe dobësi e frikshme e karakterit të kësaj opozite. Nuk është hera e parë, por është thjesht kulmimi  i një serie rastesh të përsëritura, që në fillimin e kësaj lufte, që kjo opozitë që harbutërinë verbale e ka po aq të madhe sa dobësinë karakteriale ngre akuza të shoqëruara me thirrje për prokurorinë. Por që të thirret prokuroria dhe për të vdekurit në spital, në kulmin e luftës me pandeminë, duke krijuar një trysni kaq të tepërt për mjekët që sot kanë nevojë për solidaritet, mbështetje, inkurajim, mirënjohje, falënderim, kjo e tejkalon nivelin e neverisë për politikën e këtij lloji dhe hyn në sferën e përbuzjes për çnjerëzoren. Nëse me kriminalizimin e çdo vendimi, pune, reforme, apo dhe me vetë kriminalizimin e çdokujt që kryen një detyrë të lartë publike në radhët e kësaj shumice qeverisëse jemi detyruar të mësohemi me pahir, kriminalizimi i mjekëve tanë, kur ata i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve më të motivuar se kurrë, është përtej çdo mundësie për ta konsideruar si rrjedhim normal të luftës për pushtet të kësaj opozite pa karakter. Prokuroria e di vetë detyrën e saj. Nëse do ta shohë të arsyeshme të përfshihet në këtë lemeri politike, për të zbardhur një marrëzi kriminale të kësaj madhësie, askush nuk mund e nuk do ta pengojë, por ky përshkallëzim ekstrem i luftës për pushtet në kulmin e një lufte për shëndetin e shqiptarëve, duhet me patjetër të mbahet shënim nga një gjykatës. Nga gjykatësi suprem i Shqipërisë, nga populli shqiptar, si një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si vend, si popull, si shqiptarë. Virusi nuk na ndan as në parti, as në krahina, as në shtresa e as në familje dhe ky episod i shëmtuar i luftës për pushtet nuk duhet harruar kurrsesi nga askush, asnjë shqiptar që mendon me kokën e tij, si një akt përçarjeje mes nesh, shqiptarëve, në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, si një akt që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë mbi të cilët është hedhur hija e një dyshimi monstruoz, e cila mund të nxisë ndaj tyre, deri dhe larg qoftë, dhunën e individëve të dëshpëruar nga humbja e të afërmve, si një akt turpërues për karakterin tonë si vend, si popull, si qytetarë shqiptarë dhe si thjesht qenie njerëzore. Ne do ta fitojmë këtë luftë, sidoqoftë, me mund të vazhdueshëm, pa u lodhur, me besim të palëkundur dhe me durimin më të madh. Ju lutem të gjithëve, zbatoni rregullat. Kufizoni çdo lëvizje që është e mundur të kufizohet, kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër, me çdo mënyrë dhe as mos dyshoni në vërtetësinë e fakteve zyrtare për të cilat qeveria dhe autoritetet shëndetësore mbajnë përgjegjësi të lartë, para jush në radhë të parë. As mos bini pre e frikës që duan t’ju kallin në shpirt, ata që fatkeqësisht ju duan mish për topin e luftës së tyre të verbër për pushtet dhe për plaçkë. Do ta kalojmë dhe këtë dimër të vështirë e bashkë me dimrin do ta kalojë edhe Shqipëria pjesën më të madhe të kësaj të keqeje që na zuri, por që do ta heqim deri në fund, me forcën e karakterit tonë”

Pas deklaratave të Ramës, ka reaguar edhe Basha duke sfiduar kreun e qeverisë, duke thënë se “nëse nuk ka asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19.”

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHAShqiptarët prisnin sot përgjigje.

Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë.

Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën.

Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.

Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.

Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria.

Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë.

Njerëzit po vdesin përditë.

Spitalet po kolapsohen.

Biznesi po falimenton.

Varfëria dhe papunësia po rriten.

Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave.

Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19.

Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë.