
Frrok Çupi
Ata, edhe heronj janë, sigurisht; por duhet ta dorëzojnë këtë titull. Fjala ‘hero’ për fëmijët sot, për shembull, nënkupton një njeri real ose edhe ‘fiction’, me karakter të fortë, që në momente të vështira përballet në tokë ose edhe fluturon në qiell.
Ata të Hagës nuk janë të tillë, por edhe sikur t’ i quanin kështu, për disa njerëz në Kosovë apo rreth saj, kjo do të miratohej me të dy duart. ‘Heronj’ le të jenë, ‘ veç të fluturojnë e të shkojnë prej këtuhi’.
Këta të Hagës janë njerëz realë që kanë prirë në luftën për çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës para 26 vjetësh përkrah aleatëve të mëdhenj Perëndimorë, kanë themeluar Republikën, e kanë udhëhequr deri sa, qëllimisht, erdhi Haga.
Nuk janë vetëm heronj, ose le ta dorëzojnë titullin ‘ hero’. Këta janë punëtorë të Republikës dhe Kosova ka nevojë për ndërtues të shtetit, heronj ka me shumicë.
Titulli hero ka marrë edhe kuptimin e një zarfi ku përbindëshat tokësorë që nuk fluturojnë, mbështjellin viktimën e tyre dhe i shkruajnë mbi të ‘ Hero’. Por ndërkohë janë të sigurt që të mos zbresin në terrenin njerëzor ku këta ushtrojnë pushtetin e tyre të mbrapsht.
Qeveria e Kosovës me Albin Kurtin, po lutet natë e ditë që këta të Hagës të rrinë o në Hagë, o në qiell, por jo në Kosovë. Në shtetin e Kosovës këta do të ishin liderët e qeverisjes për së mbari. Do të kthenin faqen e historisë më të re të Kosovës, që për shkak të qeveritarëve aktualë, po merr të teposhtën drejt ku-ta- dish se ku. Askush nuk mund ta thotë më fjalë atë humnerë ku këta po e rrokullisin shtetin.
Këta e lanë Kosovën pa Parlament edhe pse populli votoi; e lanë pa qeveri sepse Albin Kurti ka zënë vadën e ujit e nuk le qeveri të ‘ vaditet’ në arat e Kosovës; e vunë shtetin nën koncesionet e Europës dhe e vunë paralel me shtetet që nuk adoptohen në kontinent.. Më së fundi, vetë Shtetet e Bashkuara që kryesuan në botë luftën për Kosovën shtet, më në fund hoqi dorë nga bashkëpunimi strategjik. Njësoj si me Rusi, Kore të Jong Un, Azerbaixhan, etj.
Kosova ka mbetur pa vëmendjen e Botës Perëndimore, por pas kësaj pa vëmendjen e të gjithëve. Po e lënë me themelet e shtetit të dyshueshme. Po vjen momenti kur të kujtohet për keq: ‘ po ça bëmë me Kosovën?”. Populli brenda shtetit sa po reagon, aq nuk po di ç’të bëjë. Reagoi në votime sa nuk i dha shumicë VV, por VV po e rrëmben vetë. Tani ende nuk e besojnë se çfarë mund të ndodhë; kjo edhe pse ishin përkëdhelur nga Aleatët sa kohë këtu në qeverisje ishin ata të Hagës.
Po varfërohet ekonomia, po largohen njerëzit drejt Botës prapë atëherë, nuk ka investime as të brendshme as të jashtme, ka vetëm mitingje, fjalë e mburrje, dhe asgjë prej këtyre nuk vyen.
Mbi të gjitha, Kosova po izolohet.
Këta që janë në Hagë, janë atje veç me qëllimin për ta bërë Kosovën kështu ‘lesh-e-li’. Ata do të rrinë aty në dry derisa Kosova të mos ketë kthim në normalitet; pastaj një ‘mea culpa’, dhe ‘haj, lirohuni!’. Me sa shihet qartë vetë qeveria e tanishme e Kosovës është pjesë e komplotit për t’ i lënë në Hagë.
Ata që janë në Hagë duhet të kthehen jo si heronj, por si qeverisës të vendit. Ishin presidenti, kryeministri, kryetari i Parlamentit…, Njëshi, dyshi, treshi i Republikës.
Ndryshe nuk do të ketë akte pozitive qeverisëse në Kosovë.
Kjo duket si hera e parë kur shqiptarët thërrasin ‘ të kthehet dikush’ dikush që ishte. As Enver Hoxhën ‘udhëheqës legjendar’ nuk e duan më, ata që thonë ‘kthehu bre burrë’, janë një grusht njerëz, nostalgjikë e të pa ditur për realitetin dhe regjimet. As për Ahmet Zogun nuk tha njeri. Madje as për vetë Ismail Qemalin që e mbaroi me aq misionin e tij. Në Shqipëri tani qeveris një kryeministër që e ka ngjitur vendin në majat e Europës dhe ndodhet ende në ngjitje, s’ ka ardhur koha të kërkohet sepse është.
Të tjera herë nuk ka, nëpër botë po; si Nelson Mandela.
Ndërsa kjo me heronjtë tokësorë të UÇK në Hagë është një kryqëzim ku merr kthesë fati i Kosovës. Ata duhet të udhëheqin ndershmërisht pas-luftën. Ndryshe edhe Kosova vetë do të jetë shtet ‘nën hetim’ nga ku ta dish se kush.
Komente