Monitoruesja e OSBE-së, Audrey Glover do të zhvillojë një takim me kryeministrin Rama në selinë e partisë socialiste.

Takimi i Glover me Ramën pritet të ketë në fokus konstatimet e ODIHR gjatë monitorimit të zgjedhjeve të 14 majit

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 14 maj, PS mori shumicën dërrmuese të bashkive në vend, konkretisht 53, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 7 dhe Mega 1 bashki.

Drejtuesja e OSBE/ODIHR, Audrey Glover në raportin paraprak të misionit që drejton dhe që ka për qëllim vëzhgimin e zgjedhjeve, e ka konsideruar “14 Majin” si paqësor përgjithësisht . Sipas Glover, fushata ishte e qetë, por nuk kanë munguar ndërhyrjet partiake.

“Kandidatët arritën të bënin fushatë lirisht”, u shpreh ambasadorja, ndërsa shtoi se garuesit nuk u ballafaquan në debat me njëri-tjetrin, por zgjodhën të reagonin herë pas here në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Këto janë zgjedhjet e 16 që ODIHR vëzhgon në këtë vend dhe ekipi bërthamë përbëhet nga 14 ekspertë nga 12 shtete. Një javë pas mbërritjet së ekipit bërthamë, misionit ju bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë. U bashkuan edhe vëzhgues të tjerë afatshkurtër. Ishin afro 250 persona që vëzhguam votimet.

“Fushata filloi më 14 prill dhe u dominua nga liderët politikë, duke marrë pak në konsideratë interesin e zgjedhësve. Fushata ka qenë kryesisht paqësore, megjithëse pati sulme të forta verbale nga drejtuesit e partive politike. Përveç disa tubimeve të mëdha, fushata ishte e qetë”, tha Audrey Glover.

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR tha se u vunë re edhe disa fenomene si votimi në grup apo dhe fotografimi i votës.

“Dita e zgjedhje ishte përgjithësisht paqësore, por u ndikua edhe nga ndërhyrjet partiake, si dhe problemet teknike dhe proceduriale, si votimi në grup dhe fotografimi i votës”, u shpreh ajo. Ky është një raport paraprak që njoftohet në fund të procesit zgjedhor, ndërsa ai final do të jetë pas disa muajsh.