Frrok Çupi/

Fitorja absolute e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan e ka vënë atë në radhën e liderëve të fortë në botë, në të njëjtin stil me Vladimiir Putin të Rusisë, me Xi Jinping të Kinës dhe Abdel Fatah al-Sisi të Egjiptit.

Megjithëse Erdogan ngrihet në qiell, tani fillon periudha e zezë për demokracinë në Turqi.

Fjalimi i fitores i Erdogan, që u konsiderua si një pranim i agresivitetit triumfal, mbajtur që nga ballkoni i Partisë së tij të “Drejtësisë Islamike dhe Zhvillimit”, i tha të gjitha ato që e presin vendin. Që nga periudhat më të zeza të gropave të historisë nazi- fashiste dhe tiranike, nuk ishte dëgjuar më ai slogan aq i kobshëm që doli nga fjala e Erdogan:

-Të vazhdojmë të “luftojmë vendosmërisht’ kundër armiqve të Turqisë si brenda vendit ashtu edhe jashtë, cilindo që përcaktohet si armik me dorën e tij!

“Ne kurrë nuk përulemi para askujt, përveç Zotit!”, tha ai, fjalë për fjalë.

Erdogan i përket asaj race lideri që nuk e njeh kurrë dështimin dhe sfidën. Çfarë pritet të ndodhë me 47 për qind të popullsisë që nuk votoi për të?! Për ata ai nuk ka ofruar degën e ullirit, ashtu siç edhe nuk ka përcaktuar akoma qelinë ku do të ngujohen. Rekordet e frikshme që nga viti 2003 mbi nënshtrimin e rivalëve, kanë ngjallur frikë të madhe për një hakmarrje të tmerrshme politike. Ndëshkimi është ajo çfarë Erdogan lë pas në pluhurin e betejës së tij.

Kur Erdogan nuk e kishte gjithë fatin e individit dhe të mbarë Turqisë në dorë, edhe atëherë ishte një “sulltan i tmerrshëm”.., po tani që fitoi të drejtën për ndërtimin e një shteti kuazi- diktatorial?! Po tani që askush tjetër nuk i nevojitet Turqisë, përveç tij dhe ‘Zotit”?. Turqia që sot nuk ka më nevojë dhe nuk do të ketë as kryeministër. Fitorja e tanishme në shtesë të referendumit të vitit të kaluar, Erdogan ka marrë në dorë kompetencën që të emërojë e shkarkojë ministrat, të shpërndajë Parlamentin, të lëshojë dekrete, të emërojë gjykatësit, të drejtojë forcat e armatosura dhe të shpallë luftë.

Që nga 15 korriku 2016, kur Erdogan sajoji teatrin e një “grushti shteti’ dhe deri më sot, Turqia jeton në ‘shtetrrethim’, ku njerëzit e kanë të kufizuar me ligj të drejtën e lëvizjes, të drejtën e fjalës dhe të drejta të tjera humane. 160 mijë njerëz, mes të cilëve aktivistë kurd, gjykatës, punonjës të shërbimit civil, avokatë dhe gazetarë kanë mbetur në burgje që nga “grushti i shtetit. Premtimi më i madh që dha Erdogan ditën e fitores, dmth., dje, ishte se “do të heq shtetrrethimin”. Kaq.

“Fitorja’ e Erdogan u gatua nën dhunë, nën censurë, nën kërcënim. Por siç ndodh me diktaturat e regjimeve çnjerëzore dhe të individëve tiranë, zotit Erdogan i rrodhi mekanizmi i mashtrimit me fitoren. Televizionet pro- qeveritare turke aksidentalisht transmetuan rezultatin e zgjedhjeve tre ditë para se të mbaheshin zgjedhjet; dhe rezultati ishte 53 % në favor të Erdogan që para tre ditësh.

Para zgjedhjeve, disa burime të paidentifikuara të sigurimit të Turqisë përhapën lajmin se vëzhguesit e OSBE vijnë për të krijuar një “perceptim ‘të errët’ mbi procesin; ndërsa monitoruesit e tjerë europian nuk u lejuan.

Rreth 90 për qind e mediave në Turqi kontrollohen nga dora e Erdogan.

Asnjë mashtrim zyrtar nuk lejohet që të pranohet, vetëm ai mashtrim për të cilin jep leje Erdogan. Madje edhe mashtrimet e deklaruara nga OSBE nuk pranohen nëse nuk i pranon Erdogan. Opozitari Salahattin Demirtas i partisë Kurde, që pritej të fitonte mbi 10 %, është detyruar ta zhvillojë fushatën që nga qelia.

Erdogan po rimishërohet si ‘sulltan Otoman i ditëve moderne’ dhe do të shikohet me drithërimë në gjithë rajonin dhe në Europë. Në arenën rreth tij, Erdogan do të ngjallë sa frikë por edhe vigjilencë. Putin i Rusisë do të jetë në një gjendje mes kënaqësisë, përmbajtjes dhe gatishmërisë. Rusia ka për të shitur shumë raketa në Turqi dhe një projekt të përbashkët për ndërtimin e stacionit bërthamor me emrin Rosatom. Ne kemi parë prej kohësh se si të dy janë tërhequr nga njëri tjetri, pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi Sirinë… Por edhe ‘viktima’ Bashar al- Assad nuk do të mbetet krejt i pakënaqur; atij i duhet të frenojë lëvizjet kurde në kufi dhe këtë e ka të sigurt në dorë të Erdogan. ‘Sulltani’ i ri i Turqisë, edhe pse anëtar i NATO-s, pritet që të zgjerojë aleancën me Rusinë dhe Iranin, mu në dhëmbë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Ai ka në plan që të kthehet në ‘Kalin e Trojës’ për të demoluar Nato-n.

Rizgjedhjen e Erdogan nuk e kanë mirëpritur të gjitha vendet e Europës. Ai ka qenë pa pushim nën kritikat europiane për abuzime me të drejtat e njeriut, për subversion ndaj institucioneve demokratike, dhe për përpjekjet që të hedhë poshtë traditat sekulare të shtetit Turk të vendosura që nga Ataturk. Por Europa mbylli gojën dhe u bë skllave e Erdogan për shkak të ndihmës turke mbi emigracionin dhe terrorizmin.

Në Turqi tani bota shikon një autokraci dhe duket se kjo do të krijojë ‘modë’.

Veritas.com.al/