Këtë të mërkurë, në orën 14:30 do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme, për verifikimin e masës “Detyrim Paraqitje” për ish kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, në lidhje me privatizimin e ish kompleksit sportiv, Partizani.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija u shpreh se Berisha do të përfaqësohet nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Megjithatë, avokatët, ende nuk kanë depozituar kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Koka, që sipas tyre ka shpërdoruar detyrën dhe ka konflikt interesi.

“Seanca do të zhvillohet në orën 14:30 minuta. Gjyqtarja Irena Gjoka sërish ka ripërsëritur kërkesën për të informuar zotin Berisha, edhe pse ai ka zgjedhur dy avokatë mbrojtës që ta përfaqësojnë në gjykatë. Gjykata, sërish përmes oficerëve të policisë gjyqësore, ka kërkuar të vërë në dijeni Berishën se seanca do të zhvillohet në orën 14:30. Nëse i referohemi avokatëve të tij mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, edhe pse shtynë disa herë seancën ditën e djeshme, gjykata u la kohë që të njihen me dosjen dhe se seanca do të rifillonte në orën 18:00, por u shprehën se nuk do të ishin prezent.

Avokatët mbrojtës pretenduan se kishin dërguar një kallëzim në SPAK në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën, për shkak se nuk i është drejtuar prokurorisë, që këta të shkonin në heqje të imunitetit të zotit Berisaha e më pas të vepronin me masë sigure. Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares, me argumentin se është në konflikt interesi. Deri më tani, në sekretariatin e Gjykatës së Posaçme, nuk është depozituar asnjë kërkesë për përjashtimin e saj”, raportoi gazetari Vija.