“Dua të ripërsëris thirrjen. Nxirrni firmat nga kasaforta, mos bëni show me gazetarët, që nuk njohin çështjen. Dorëzoni kërkesën në protokoll të Partisë Demokratike (PD). Respektoni PD-në”.
Kështu është shprehur, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat të premten e 12 nëntorit.
Bardhi theksoi se dje kishte shpjeguar proceduren statutore.
“Ne nuk fshihemi, nuk veprojme në ilegalitet. Rregullat janë të qarta. Duhet mblidhen institucionet për të shqyrtuar kërkesën dhe të dëgjohet zëri i çdo demokrati”
Bardhi theksoi se “sot më së shumti është tallur edhe me atë pakicë që kanë besuar te lëvizja e Sali Berishës”.
“Edhe sikur, siç në fakt janë të dhënat tona, të jenë siguruar një e teta apo një e dhjeta e firmave, vullneti i tyre nuk mund të mbyllet në kasafortë. Edhe zëri i pakicës së pakicës duhet të dëgjohet”.
Ai theksoi se PD-ja është institucion dhe jo bunker.
Sekretari shfaqi për mediat një deklaratë të deputetit Flamur Noka, lidhur me mbledhjen e Kuvendit ku ky i fundit ka deklaruar në tetor se duhet të mblidhet në bazë të statutit.
“E ftoj të ndjekin ekzaktësisht procedurën, jo atë që ka shpjeguar dje sekretari i përgjithshëm i PD, por procedurën që ka përshkruar më 29 tetor zoti Noka. Ju lutem depozitoni kërkesën në protokollin e PD-së. Jepini mundësinë institucioneve të PD-së të ndjekin procesin dhe të mbledhim kuvendin kombëtar të PD-së”.
Ai bëri me dije se nuk ka palë në PD dhe cilido që synon të përçajë PD dhe të krijojë palë i shërben regjimit të Edi Ramës duke kërkuar që hallet personale t’i mbajnë në shtëpitë e tyre.
“Rregullat janë të qarta, kërkesat duhet të përcillet në protokoll dhe padyshim që do dëgjohet zëri i çdo demokrati, qoftë ky i pakicës së pakicës”.
Dorëzimi i firmave
Të mërkurën e 10 nëntorit u dorëzuan firmat e mbledhura nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, me qëllim rrëzimin e vendimit të përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar demokrat.
Vetë Berisha nuk ishte i pranishëm në momentin e dorëzimit, por ishin deputetët përkrahës të tij, Flamur Noka, Edmond Spaho, Aldo Bumçi, Klevis Balliu, Albana Vokshi dhe të tjerë.
Paloka, në deklaratën për mediat tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur.
“Firmëtarët më kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm”, bëri me dije ai.
Më herët, Berisha në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së 4 mijë e 200 firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të demokratëve u shpreh se ky është një moment historik.
Kuvendi, njoftoi ish-kryeministri, do të mbahet më 11 dhjetor, në simbol të themelimit të PD-së.
Sipas tij, PD-ja më 12 dhjetor do të gdhijë e rithemeluar.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë Kuvend antiamerikan, duke iu referuar vendimit të DASH-it për shpalljen e Berishës persona non grata.