Nga ‘Foltorja’ në takimin me gratë demokrate në Tiranë, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për të cilin tha se i kishte kërkuar ambasadores së SHBA, Yuri Kim që të flisnin jashtë zyrës pasi dyshonte se i kishte vendosur regjistrues ish-kryeministri. Sipas Berishës, informacioni i është dhënë nga ‘burime amerikane’, teksa e akuzon Bashën si të pabesë.

“Kur ky i pabesë dhe i padinjitet, dora dorës, do mësoni gjëra të pabesueshme për pabesitë e tij të turpshme. Ky zotëri deklaronte të gjitha gafat e tij mi ka imponuar Sali Berisha dhe t’ju them këtu se burime tërësisht amerikane, më informonin se ky i thotë ambasadores të dalim nga zyra se kemi regjistrues nga Berisha, më ka futur Berisha regjistrues dhe bisedojmë jashtë. E imagjinoni dot? Unë atë nuk e pranoja kurrë për mandat të tretë në krye të opozitës dhe do gjeja të gjitha mënyrat të vija te ju për tju thënë që ky vetëm po kalon nga disfatë anë disfatë dhe ndaj ai bashkëpunoi për një vendim që unë e përballoj vetë”, tha Berisha.

Ndërkohë i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Bashës, i cili i konsideroi akuzat e Berishës trillim, teksa theksoi se asnjë mashtrim nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave të ish-kryeministrit.

“E trishtueshme kur dëgjon sa poshtë ka rënë Sali Berisha. Asnjë trillim, mashtrim, të thash e me the, nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave të tij personale”, shkruan Basha.

Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Disa ditë më parë, pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me 71 kryetarët, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, duke lënë të hapur mundësinë e përjashtimit të këtij të fundit nga partia.