Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës për kryedemokratin Lulzim Basha nuk ka kthim pas. Basha theksoi se aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA nuk mund të cenohet dhe se është gjithmonë në punë në interes të demokratëve dhe shqiptarëve. Edhe pse Berisha ka nisur aksionin politik ‘Basha ik!’ brenda PD kundër këtij vendimi ku do të mbledhë edhe 1500 firma për referendum dhe ka hedhur akuzat për paaftësinë e Bashës si lider për të çuar partinë në fitore, për kryedemokratin nuk ka më lëkundje nga vendimi i tij i prerë i marrë në zyrën e tij në selinë blu.
“Nuk kam asgjë për ti shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me SHBA, por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë dhe të së nesërmes së Shqipërisë. Për këtë arsye ne së bashku me të gjithë shqiptarë do të bëjmë gjithçka për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas”, tha Basha.