Kryetari  i opozitës Lulzim Basha pohoi se është i gatshëm për dialog me kryeministrin vetëm me kusht  nëse diskutohet për formimin e qeverisë teknike dhe “asgjë tjetër”.

“Nuk pranoj dhe nuk do të pranoj pazar për mbijetesën e republikës së vjetër. Ne parashtruam një dialog racional, ndërsa ata duan një dialog fasadë, me fjalime të përgatitura. Objektivi i një dialogu të mundshëm do të jetë vetëm formimi i qeverisë teknike dhe asgjë tjetër. Nuk do të pranoj monologje shterpë. Frika e Ramës për të lënë karrigen, është kthyer në një pengesë për zgjedhje të lira”.

Duke iu referuar rënies së ekonomisë, Basha shpjegoi se kryeministri ka zbatuar një komplot ekonomik kundër shqiptarëve. “Republika e vjetër ka përgatitur një komplot kundër shqiptarëve. Ekonomia është shkatërruar nga komploti. E shndërruan vendin në hambar droge”.

Basha tha se në Bruksel dhe Uashington ka lobingje të ndyra që mbahen me paratë e naftës dhe drogës për të mbajtur në këmbë qeverinë.

“Në këtë komplot marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të këtij grushti politikanësh të korruptuar dhe një grup oligarkësh që kanë shtënë në dore paratë e shtetit përmes tenderëve korruptive dhe koncesioneve korruptive.  Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë republikën e vjetër. Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e buxhetit të shtetit që kurrë nuk i dhanë për shqiptarët por i përvetësojnë për xhepat e tyre. Miliardat e nxjerra nga droga e narko-mafies shqiptare paguajnë lobistë të korruptuar europiane dhe amerikanë për t’i bërë duan Republikës së vjetër për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër në kurriz të shqiptarëve të ndershëm”- tha Basha.

/Veritas.com.al/