Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në seancën plenare të 2 dhjetorit, ka akuzuar se drejtues të lartë të vendit “janë pjesë e përgjimeve të antimafias”.
Ai tha se kullat e larta në Tiranë “janë pastrim parash”.
Më tej, kryedemokrati u shpreh se, gjatë pandemisë, “ndërtimi ka pësuar rritje të pashpjegueshme”.
“Për tre vite janë pastruar në ndërtim 1.6 miliardë euro”, ka thënë kreu i demokratëve.
“Shqipëria është renditur nga MONEYVAL, struktura e përhershme e Këshillit të Europës”, ka vijuar me akuza Basha, “në listën gri të vendeve me probleme të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave”.
Gjithashtu ka cituar dhe Nismën Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, projekt i financuar nga GIZ-i gjerman dhe Ministria e Jashtme e Norvegjisë.
Sipas të cilës, “rreth 60% e firmave të ndërtimit, që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare”.
Ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare, sipas kryeopozitarit Basha, “janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.
Basha u ka bërë thirrje deputetëve të pranojnë vetting-un e politikanëve, ndërsa në parlament po diskutohet mbi projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Vetting-u i politikanëve
Vetting politikanëve, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale. Kanë qenë këto propozimet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike për ndryshime në Kushtetutë.
Propozimi i tretë i PD-së në amendamentet e saj ka të bëjë me vetting-un e politikanëve.
“Koncepti i 2018-ës për ta pastruar Kuvendin nga politikanë që lidhen me krimin, është objektiv edhe sot, por ka një ndryshim themelor”, ka shprehur më herët Basha.
Kurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të mbledhjes me krerët e degëve të Partisë Socialiste, e mbajtur në fund të tetorit, pranoi për herë të parë se do të ulet në tryezë me opozitën, për vetting-un e politikanëve.
“Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile”, theksoi fillimisht Rama nga selia rozë, të mërkurën e 27 tetorit.
Ai nënvizoi se kjo është një qasje e kahershme e tij, që flet për cilësinë e demokracisë së një vendi.
Një pikë tjetër e shtuar në Kushtetutë, sipas amendamentit, është ajo për pastërtinë e figurës nga ana e krimit.
“Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK-ut një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri më datën e deklarimit, sipas ligjit”.