“Po ju mbajmë shënim emrat, do jeni pjesë e ligjit antimafia”
Lulzim Basha ka kërcënuar bankat e nivelit të dytë të mos japin kredi për PPP-të dhe koncensionet e qeverisë, pasi me ardhjen e demokratëve në pushtet ato do të jenë pjesë e ligjit antimafia dhe do të anulohen. Ashpërsimi i toneve të kryedemokratit erdhi teksa në Kuvend pritej rrëzimi i dy dekreteve të Presidentit për kontratat koncensionare të rrugëve; asaj Milot-Balldren dhe Orikum- Dukat. Pa paralajmëruar nuk la edhe kompanitë fituese të dy projekteve.
“Letër e ngjashme do i dërgohet edhe bankave të nivelit të dytë për t’i paralajmëruar se çdo financim do t’i vendosë përpara ligjit.”
Kërcënimeve të kryedemokratit nuk i shpëtuan as deputetët e Kuvendit, institucion të cilin Basha e cilësoi noter të hajdutërisë së parave të shqiptarëve.
“Kjo është vjedhje me ligj, ndaj dua të paralajmëroj sot dhe pikë së pari çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj, se nesër do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat, nesër do t’ju ndjekim këmba-këmbës, çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë nën lupën e ligjit antimafia dhe SPAK.”
Pas grabitjes së shqiptarëve Basha tha se qëndron kryeministri Rama dhe miqtë e tij oligarkë e ish-deputetë të Partisë Socialiste, me një skemë të qartë për pastrimin e parave të drogës dhe përdorimin e tyre për vjedhjen e zgjedhjeve.
Basha paralajmëroi se çdo kontratë koncensionare do të konsiderohet vepër kriminale dhe do të hetohen në bashkëpunim me SPAK-un, BKH dhe organet ligjzbatuese të vendeve partnere.
VERITAS.COM.AL/