Pas 4 orësh protestë, kryedemokrati Lulzim Basha mbylli protestën e opozitës së bashkuar, duke kënduar Himnin e Flamurit. Basha tha se fundi i Edi Ramës tashmë është firmosur, ndërsa opozita e bashkuar do të vijojë betejën ‘ për të cliruar Shqipërinë në cdo cep të saj’ . Basha e konsideroi protestën e kësaj të shtune më të madhen në histori.

Protestuesit u mblodhën rreth orës 18:00 në bulevardin përpara kryeministrisë ku bënë thirrje kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas fjalimit të kryedemokratit Basha dhe teksa muzgu po binte, situata u tensionua dhe protestuesit mundën të çanin kordonin e policisë, përballë hyrjes qëndrore të godinës se qeverise. Ata qëndruan për disa minuta në shkallët e kryeministrisë, fasadën e së cilës e kishin lyer me bojë të zezë, ndërsa forcat e policisë nuk ndërhynë për t’i sprapsur.

Më tej, numri dy i Partisë Demokratike zhvendosi turmën drejt parlamentit, nën udhëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Edhe në protestën para parlamentit, pati tension e përplasje me policinë, ku u përdor edhe gazi lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Sa herë lëshohej gaz, protuestuesit largoheshin nga hyrja e parlamentit, për t’u rikthyer sërish me kalimin e minutave.Situatë e cila u përsërit disa herë. Pas katër oresh, protestuesit marshuan drejt selisë së PD-së, ku Lulzim Basha theksoi se beteja do të vijojë.

Ndryshe nga herët e tjera protestuesit përveç pankartave kundër qeverisë, mbanin edhe flamuj të PD-së. Edhe me këtë protestë opozita synon largimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie tjetër tranzitore që do të mund ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, të ndershme e demokratike.

Veritas.com.al/