Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur sot marrëveshjen me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm, marrëveshja e tretë që nënshkruan kryedemokrati, pas asaj me artistët dhe me personat me aftësi të kufizuara, kjo e fundit u firmos një ditë më parë.
Basha u zotua se nuk do të ketë taksa mbi 0.5% të xhiros, ndërsa shtoi se po ashtu do të ketë edhe më pak inspektime. Sipas Bashës, këto do të garantojnë rritje të ekonomisë dhe punësimit.
Lidhur me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme Partia Demokratike në qeverisje të vendit angazhohet tërësisht për të mundësuar mbështetjen e fuqishme dhe të menjëhershme ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti nëpërmjet: çlirimit të tregut nga oligarkia, krimi dhe burokracia, qeverisjes nëpërmjet konceptit të shtetit të vogël por efecient me prioritet të sipërmarrjes së lirë dhe ku shpenzimet qeveritare janë të ulëta dhe investimet publike janë të larta, uljen e menjëhershme të barrës fiskale si instrument thelbësor për të rindezur motorin ekonomik të vendit, përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit, reduktimin drastik të burokracisë shtetërore, shndërrimin e Shqipërisë në 30 vendet më tërheqëse në botë për thithjen e investimeve të huaja direkte, thellimin e reformës rregullatore me synimin e transformimit rrënjësor të sistemit të lejeve, licencave, inspektimit me qëllim luftën ndaj korrupsionit, uljen e kostos për biznesin dhe eliminimin e arbitraritetit qeveritar, rritjen e transparencës dhe të konkurueshmërisë në treg, mbështetjen biznesit të vogël- të mesëm për inovacionin e zhvillimit teknologjik sipas modelit të vendeve më të zhvilluara në Europë”, tha Basha.
Po ashtu Basha tha inspektoriatet e çdo lloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse, dhe se të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12 mujore gjatë të cilës do të inspektohen por nuk do të gjobiten.
Ai shtoi po ashtu se synon rritje të kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milion lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat.
“Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 18%. Shfuqizimin me efekt të menjëhershëm të taksës Rama për karburantet për rreth 24 lekë për litër. Kjo do të ketë një efekt të menjëhershëm tek biznesi i vogël, por po kështu dhe biznesi i madh dhe ekonomia në tërësi. Metodologjia e caktimit të çmimit të energjisë për biznesin njësoj si dhe për popullatën do të reformohet tërësish dhe çmimi i energjisë për biznesin do të ulet ndjeshëm. Për çdo zhvillim teknologjik dhe informatikë, biznesit të vogël dhe të mesëm do ti lihet një afat kohor i arsyeshëm për implementimin e tij. Në të njëjtën kohë qeveria do të ketë detyrimin ligjor të bëjë rimbursimin e kostove përkatëse. Këtu dua të ndalem dhe të theksoj se projekti i tretë apo i katërt i fiskalizimit, një projekt thellësisht korruptive do të abortohet do të hetohet, përgjegjësit do të çohen para ligjit dhe çdo pagesë e kryer deri në marrjen e përgjegjësive të qeverisjes nga Partia Demokratike do të rimbursohet nga qeveria ime e ardhshme”, shtoi Basha.
VERITAS.COM.AL