Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi kërkesën e paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.
Kryetari Basha deklaron se as asnjë drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk është marrë nën hetim dhe nuk është i pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk kanë nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën.
“Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike”, thuhet në letrën e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Veritas.com.al/