“Me zellin e një ish-komunisti, me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave, po sjell me vete një batalion non grata-sh”.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është referuar mbledhjes së organizuar nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, në ambientet e Partisë Demokratike, si një rikujtuesë e trazirave të vitit 1997, duke i quajtur mbështetësit e ish-kreu të PD-së “batalion non grata-sh dhe organizatë anti-amerikane”.
Sipas Bashës, dita e sotme ka qenë një shenjë tjetër e ndarjes së plotë të demokratëve.
Nga ana tjetër, ai e bëri të qartë sërish, se Kuvendi i Partisë Demokratike do të mblidhet më 18 dhjetor. Për të, përtej faktit se ai do të jetë institucional – ndryshe nga i 11 dhjetorit – do të jetë edhe një Kuvend madhështor, ku demokratët pjesëmarrës nuk do të shantazhohen.
Pra, me anë të kësaj fjalie, Basha pretendon se Berisha ka ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve në Kuvendin e zhvilluar më 11 dhjetor.
Me mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 12 dhjetor, Basha thekson mendimin e tij se anëtarësia, nuk iu përgjigj kërkesës së Berishës për bojkot. Ndërsa, 11 dhjetori, nuk prodhoi asgjë sipas tij.
“Ky është një vit i mbrapshtë”, nënvizoi Basha. “Sali Berisha është sot problemi i PD-së dhe duhet ta lëmë pas atë.
Kreu i bluve përkufizon rishtazi se Berisha nuk mund ta marrë peng forcën e djathtë. Aq më pak, që interesat e tija dhe të familjes së tij, t’ia lërë në shpatulla partisë dhe demokratëve.
Beteja e Bashës do të vijojë të jetë ajo përballë Edi Ramës dhe “trekëndëshit të Bermudës”. Ndërsa zgjidhjen për shqiptarët, Basha e gjen vetëm tek Partia Demokratike.
“Në vend që të merremi sot me varfërinë në Shqipëri, me familjet që harxhojnë buxhetin e tyre për fatura dritash uji, merremi me përçarje brenda vetes”, vijoi ai.
Basha, me tone të ashpra, tha se Berisha vijon të jetë një “tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”. Kështu, duke e bërë të qartë se ish-kreu demokrat, “është një patericë për PD-në”.