Kryetari i Partisë Demokratike ka folur mbi zhvillimet e fundit në arenën e maxhorancës ku po mbrohet Saimir Tahiri ‘duke shkelur Kushtetutën’.

“Prokuroria Shqiptare paraqiti një kërkesë të vetme, – theksoi Basha, –  pas 4 vitesh hetime të Antimafias italiane. Edi Rama e rrëzoi këtë kërkesë. Gjithçka tjetër është propagandë, gjithçka tjetër është mashtrim për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.

Fakti është që Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin. Parlamenti nuk ka të drejtë të rrëzojë një kërkesë të organeve të drejtësisë të bërë konform rregullave dhe as nuk ka të drejtë të gjykojë provat që i takojnë gjykatës. Edi Rama po mbron Saimir Tahirin se është peng i trafiqeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë që do të zbulojë dhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare të krimit të organizuar.

Ndaj po bën gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur , Vettingu është i marrë fund me këtë qëndrim të Edi Ramës, që po e përdor për të kërcënuar prokurorët vetëm pse po guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale politike, kushtetuese dhe morale.

Mazhoranca, moralisht ka vdekur, Edi Rama ka marrë fund si kryeministër. Ne si opozitë do të jemi në kontakt me qytetarët dhe faktorin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje.”

Veritas.com.al/