Gjatë një takimi me qytetarët e Rrogozhinës, Basha shpalli veten kryeministër pasi tha se “unë vij si përfaqësuesi i mazhorancës së re shqiptare”.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ai bashkë me opozitën do të rrëzojë qeverinë Rama dhe do të ndryshojë sistemin.

“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar.

Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve.

Pasi shau kryeministrin Rama me fjalë shumë të ulëta për publikim, Basha tha se ‘Beteja jonë do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit’ .

Ndërsa deri tani liderët e opozitës që doli nga Parlamenti janë përfolur si subjekt i Drejtësisë së Re, Basha bëri të njëjtën gjë për maxhorancën.

‘ Drejtësia do të çojë në burg politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të jetë ndryshimi i parë i sistemit’, tha ai, ndoshta duke aluduar edhe për ish ministrat e PD.

Edhe pse zoti Basha, në vitin 2017 i caktoi vetë në mësnatë, që nga shtëpia, kandidatët e PD për deputetë, ai tha se “ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm nuk do të caktohen më në mënyrë misterioze’ , duke i bërë një ‘vetëpastrim’ metodës së tij .

“Unë vij nga mazhoranca e re e shqiptarëve dhe do ndryshoj sistemin. Do t’i jap fund Ramës”– tha Basha.

Veritas.com.al/