Bashkia e Tiranës ka dërguar në Prokurori një padi të dytë për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka nënshkruar padinë për shpërdorim të detyrës ndaj Bashës, (gjatë kohës që i drejtonte bashkinë). Bashkia Tiranë e akuzon Bashën se i ka dhënë vetes leje për ndërtim të një kati shtesë në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit.

Në njoftimin për shtyp të Bashkisë, ky institucion i kërkon gjykatës: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, Vendimit nr. 9305/9, datë 01.08.2014 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Lejes së Ndërtimit nr. 9305/12, datë 25.08.2014 për strukturën “Shtesë 1 kat mbi strukturën ekzistuese 1 kat”, në rrugën “Skerdilajd Llagami” për pronën e regjistruar me nr. 6/121+2-29, ZK 8160, vol 22, faqe 90, pranë ZVRPP Tiranë në bashkëpronësi të Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së tij Aurela Isufi (Basha) me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë “ARCHIMED INTERNATIONAL” shpk”.

Në kërkesë padinë e depozituar në Gjykatë, Veliaj pretendon se Basha ka nxjerrë akte administrative për interesa private të tij të cilat sipas tij lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe tjetërsimin e pasurisë në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.

Veritas.com.al/