Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është absolutisht i palëkundur në vendimin e Qeverisë së tij gjatë mandatit të parë, për të mbyllur bastet dhe lojërat e fatit në gjithë vendin.
Megjithatë, ai sërish është i hapur të dëgjojë të gjitha anët e medaljes dhe për këtë arsye, ka thirrur në një dëgjesë publike aktorët e sportit në vend.
Periudha e kohës së kaluar që prej operacionit, ka mundësuar sipas kreut të Qeverisë të shihen të dy anët e medaljes dhe formalizimi i basteve, nuk është i përjashtuar në asnjë formë.
Kjo, sepse ka një debat konstruktiv mbi çështjen dhe mbi të gjitha, vendimi mund të lidhet direkt edhe me mbarëvajtjen e sportit në vend.
Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, nga ana tjetër, dha një variant të basteve sportive të kontrolluara nga vetë shteti, duke marrë parasysh modele të shumta të huaja, të cilat kanë qenë të suksesshme.
Ndër to, edhe raste kur qytetarëve u vihen limite në sasinë e parave, të cilat mund të luhen, duke u bazuar mbi pagën e gjithsecilit, gjë që mundëson edhe kontrollin e aktivitetit.
“Unë them të mbyllen bastet në të zezë. T’i kontrollojë shteti. Nuk ka shtet evropian dhe ligj evropian që i ndalon bastet. Ligjet tona duhet të njehsohen me ligjet evropiane”, u shpreh fillimisht Ylli.
Sipas tij, sot luhet me miliona dhe sporti nuk përfton asnjë lek.
“Është më mirë që t’i nxjerrim nga errësira, t’i kontrollojë shteti, që sporti të përfitojë dhe të ndërtojë pishina, palestra etj. Nuk kemi një pallat sporti me standarde. Me këto të ardhura dytësore, mund të ndihmojmë shtetin”, shtoi shefi i KOKSH-it.
Ky i fundit, disa muaj më parë, në një letër zyrtare drejtuar kryeministrit i ka kërkuar hapjen e basteve sportive.
Në kërkesën e tij, Ylli shkruan se hapja e basteve sportive me ligj dhe dedikimi i një pjesë të ardhurave të nxjerra nga kjo veprimtari në funksion të sportit do të ishte një ndihmë e madhe për këtë sektor.
Ai ka ravijëzuar se ky vendim ka pasur një dakordësi nga një pjesë e madhe e federative sportive në vend pas një tryeze të rrumbullakët që u zhvillua javën e kaluar.
Po ashtu Ylli shprehet se rregullimi i kësaj veprimtarie të bëhet nëpërmjet kompanive globale, të cilat janë të certifikuara.
Ai shpesh ka kërkuar që të hapen disa pika të basteve, por sigurisht që të jenë të reduktuara në numër dhe ndryshe nga e shkuara ku ishin më të shumta në numër se farmacitë dhe lokalet.
Sipas tij bastet po vazhdojnë në të zezë, dhe kjo rrjedhimisht sjell pasoja në ekonominë shqiptare, sa kohë që këto kompani nuk paguajnë taksa dhe detyrime ndaj shtetit.
Data 31 dhjetor 2018 ishte datat e fundit për mbylljen e të gjithave “lojërave të fatit” në Republikën e Shqipërisë.