Një aksion që filloi me bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK’së, përfundoi me arrestimin e dy prej figurave kryesore të kësaj organizate. Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, u arrestuar në zyrën e tij nga policë të EULEX’it, derisa nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, u arrestua nga hetues të Speciales në hyrje të Televizionit 7, ku kishte qenë i ftuar për intervistë, raporton Express.

Selia e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së në lagjen Qafa mëngjesin e djeshëm u bastsis nga rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur. Ata qëndruan për disa orë brenda zyreve të veteranëve, derisa kur dolën morën me vete edhe kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë me dije se Gucati, dyshohet për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Akuzat ndaj tij janë të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sipas njoftimit.

ZPS-ja ka bërë të ditur se të dhënat për datën dhe orën e paraqitjes së Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të bëhen të ditura ditët në vijim.

Por, Gucati nuk është i vetmi që u arrestua dje. Nën pranga u vu edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Haradinaj u arrestua derisa ishte duke ardhur në zyrat e televizionit T7 për intervistë.

Ai nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, tha Haradinaj për Express.

Ndryshe, tri herë gjatë këtij muaji, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale ka selinë në Hagë dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar edhe Salih Mustafën – njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

VERITAS.COM.AL