Nga Katia Fache/

Pas kasaphanës së Bataclan së 13 nëntorit 2015 në Paris, ku humbën jetën 90 persona nën plumbat e  terroristëve, salla që duhej të hapej  në 16 nëntor do të hapë siparin në 12 me një koncert të Sting.

Pas tmerrit të 13 nëntorit 2015 gjatë koncertit të grupit rock “Eagles of Death Metal”, salla Bataclan u mbyll për hetime e më pas u ndërmorën punime të vështira rinovuese, konkretisht ndryshimi i dyshemesë.

Bataclan kish njoftuar rihapjen në 16 nëntor, një vit e tri ditë pas aktit terrorist, me një koncert të rockerit Pete Doherty. Sot në mëngjes u mësua ndryshimi i  programit: hapje përpara afatit e Bataclan-it me një koncert të Sting në 12 nëntor dhe ka qenë vetë këngëtari që e njoftoi këtë në faqen e tij në Twitter.

Këngëtari, ish-leader i grupit Police i njohur për angazhimet e shumta dhe dashurinë për Francën do të performojë në skenën që u bë fatkeqësisht e famshme në mbarë botën. Sting do t’ia dorëzojë të ardhurat e koncertit shoqatave “Life For Paris”, “13 novembre” dhe “Fraternité et Vérité”.

Këngëtari e ka përligjur iniciativën e tij në deklaratën: “Duke rihapur Bataclan-in, ne kemi dy qëllime të rëndësishme për t’u përmbushur njëherësh: të përkujtojmë dhe nderojmë ata që humbën jetën në sulmin e vitit të kaluar, dhe të celebrojmë muzikën dhe jetën që përfaqëson kjo sallë spektaklesh mitike.

Në sallë do të jenë të pranishëm shumë nga të mbijetuarit e atij sulmi tragjik.

/Veritas.com.al/