Buzëqeshja e tij padyshim që nuk do të harrohet. Në histori gjithashtu do të mbetet si “Kaizeri Franc”, apo “Perandori”, siç e quanin me dashuri dhe vlerësim në Gjermani, dhe si personaliteti më i madh i futbollit të vendit të tij.

Franz Beckenbauer shkoi në përjetësi në moshën aspak të shtyrë 78-vjeçare, dhe na habiti të gjithëve. Ndoshta, mendonim se ai nuk do të ikte asnjëherë. Për të gjithë kampionët e mëdhenj ia vlen të shkruhet, por sidomos për të tillë si “Kaizer Franz”, Johan Cruyff, Maradona apo Pele.

I lindur vetëm pak javë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai u bë pjesë e brezit të dytë të madh që duhet të lartësonin sërish emrin e Gjermanisë. E para ishte gjenerata e kapitenit Fritz Walter që doli kampione e botës në 1954 duke mundur në finale Hungarinë e pathyeshme.

Beckenbauer e fitoi lavdinë me “Bavarezët” e Bayern Munich, ndonëse futbollin e nisi tek ekipi tjetër i qytetit, TSV 1860 Munich, pasi e kishte shumë afër shtëpisë. Gjithsesi, pasi një lojtar i klubit e goditi me shuplakë në fytyrë, në shenjë hakmarrjeje shkoi në skuadrën tjetër.

Kur Bayern-i i tyre luante në ligën rajonale, 1860 Munich fluturonte me avion nëpër kontinent. Sidoqoftë, kjo do të ndryshonte, Nën drejtimin e trajnerëve kroatë, në atë kohë jugosllavë, Branko Zebec dhe Zlatko Cajkovski, mbrojtësi i ri, bashkë me “yjet” Gerd Muller, Sepp Maier e të tjerët, nisi ngjitjen që nga kategoria e dytë për në majën e Evropës.

Në 1965-ën u arrit Bundesliga, në 1966-ën u fitua Kupa e Gjermanisë, në 1967-ën u fitua Kupa e Kupave të Evropës, në 1969-ën u fitua kampionati, ndërsa në vitet ‘70-të erdhi dominimi. Beckenbauer fitoi gjithsej 5 herë Bundesliga-n, 4 herë Kupën, tri herë Kupën e Kampionëve në 1974-1976, Kupën e Kupave dhe Kupën Interkontinentale. Me Cosmos në SHBA, luajti në krah të Pelesë dhe fitoi tre tituj kampion.

Gjithsesi, famën më të madhe e mori me kombëtaren.

Gjermania e udhëhequr nga “Kaizer Franz” arriti finalen e Kupës së Botës në vitin 1966-ën mundur nga Anglia, gjysmëfinalen e Kupës së Botës 1970-ën, fitoi Kampionatin Evropian në 1972-shin, dhe triumfoi në Kupën e Botës në 1974-ën luajtur në atdhe.

Si individ fitoi Topin e Artë dy herë në 1972-shin e 1976-ën, gjë që asnjë mbrojtës tjetër nuk e ka arritur. Beckenbauer krijoi rolin e mbrojtësit të lirë, falë klasit të tij, por padyshim edhe me ndihmën e trajnerëve. “Bavarezi” arriti status kulti kur luajti me shpatullë të thyer në gjysmëfinalen e Botërorit 1970 ndaj Italisë, të cilësuar shpesh si ndeshja më e madhe e të gjitha kohëve në kupat e botës.

Gjithsesi, fama e tij nuk do të mbaronte pasi të varte këpucët.

Në mbyllje të karrierës, u zgjodh si shpëtim i Gjermanisë, si trajner i “Nationalmannschaft” pas dështimit në Euro 1984. Nën udhëheqjen e tij, një kombëtare e plakur arriti finalen e Botërorit në 1986, i mundur vetëm nga gjenialiteti i Maradona-s.

Në 1990, fitoi Kupën e Botës si trajner, një nga tre njerëzit në historinë e futbollit që ia kanë dalë, bashkë me Mario Zagallo dhe Didier Deschamps. Ajo Gjermani në Italia 1990 konkurron me kampionët e Europës të 1972-it si më të mirat e të gjitha kohëve.

Me Bayern Munich fitoi titullin si trajner në 1994-ën dhe Kupën UEFA në 1996-ën, veçse pas një konflikti me ish-trajnerin, të shquarin Otto Rehhagel, duke qenë se e drejtoi ekipin vetëm pak ditë, “Kaiser Franz” refuzoi ta prekte me dorë trofeun.

Franz Beckenbauer pati një udhëkryq ku u takua me Shqipërinë. Ai nuk ishte pjesë e ekipit në barazimin e famshëm 0-0 në “Qemal Stafa” në dhjetor 1967, kur gjermanët u eliminuan, por ishte në formacion në 1971, në një fitore minimale 1-0 falë “bomberit” Gerd Muller.

E paharruar ka mbetur fotoja e dezinfektimit të duarve në Aeroportin e Rinasit, foto që është botuar në rrjetet sociale në Shqipëri nga studiuesi, Armand Plaka.

Franz Beckenbauer ishte simboli i vërtetë i epokës së tij, edhe kur luante futboll, edhe kur drejtonte nga stoli, edhe si president i Bayern Munich, edhe kur ndiqte modën, dhe kur aktronte në reklamat e kohës.

Me të drejtë një yll anglez si Gary Lineker e përkufizoi legjendën gjermane si “më të bukurin e futbollistëve” që fitoi gjithçka me “hijeshi” dhe “sharm”. /i.m /abcnews.al