Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama kanë përcjellë mesazhet e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke uruar të gjithë qytetarët shqiptarë për këtë ditë simbolike.

Përmes një reagimi publik, Presidenti Begaj ka theksuar rëndësinë e punës së ndershme si themel për zhvillimin e vendit.

“Gëzuar 1 Majin për çdonjërin që nëpërmjet punës së tij të ndershme e bën Shqipërinë më të mirë!”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka zgjedhur një mesazh të shkurtër, duke vlerësuar përkushtimin e punëtorëve shqiptarë. “Me zemër e respekt, i uroj çdo shqiptari punëtor punë e ditë të mbarë”, ka shkruar ai.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve festohet çdo vit më 1 maj në shumë vende të botës dhe lidhet me përpjekjet historike të lëvizjes punëtore për të drejta më të mira pune, kushte më dinjitoze dhe orar më të kufizuar. Origjina e saj daton në fund të shekullit XIX, kur protesta dhe greva të punëtorëve, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, kërkonin vendosjen e orarit 8-orësh të punës.

Në Shqipëri, kjo ditë njihet si festë zyrtare dhe shpesh shoqërohet me aktivitete simbolike, mesazhe institucionale dhe reflektime mbi sfidat dhe arritjet e tregut të punës në vend.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *