Sali Berisha është paraqitur në SPAK, për të dëshmuar për herë të parë si ish-kryeministër për 21 janarin. Për rreth 2 orë, ish kryeministri u pyet nga prokurorët e posacëm rreth ngjarjes së 15 viteve më parë, ku humbën jetën 4 protestues në Bulevardin Dëshmorët e kombit dhe qindra të tjerë u plagosën

Më 21 janar 2011 mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa në krye të qeverisë ishte Sali Berisha. Këtij të fundit iu dorëzua fletëthirrja e tretë nga SPAK për t’u pyetur të premten e 21 nëntorit, si person në dijeni për “21 Janarin”, teksa ishte paraqitur në Prokurori për zbatimin e masës së sigurisë në lidhje me çështjen “Partizani”.

Fillimisht Berisha me anë të mbrojtësit të tij ligjor Genci Gjokutaj, kërkoi shtyrjen e marrjes në pyetje me argumentin se do lëvizte jashtë territorit shqiptar, por ditën e djeshme, ai konfirmoi paraqitjen në SPAK gjatë kësaj të mërkure. Hetimet për 21 janarit 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021.

Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kaloj për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës. Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë. U desh një vit që Gjykatën e lartë të dilte më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistroi kallëzimin e familjes Nika dhe të hetoj 21 Janarin.

Kjo e mërkurë do të jetë kështu përballja e parë e Sali Berishës me të shkuarën e tij të errët, 21 janarin, kur nga dritarja e katit të tretë shihte vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. Kësaj radhe nuk i vlejnë as sulmet, as protestat, por i vetëm duhet të japë llogari, dhe testi i provës së zjarrit nuk është vetëm për doktorin, por edhe për vetë SPAK./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *