
Gjykata e Posaçme cakton datën 30 qershor, ora 10:00 për të zhvilluar seancën e parë në themel për dosjen e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”, ku të pandehur janë marrë pesë persona, ish kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Për herë të parë në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj një ish-kryeministri për akuzën e korrupsionit.
Më 19 maj të këtij viti, gjyqtarja Flojera Davidhi kaloi për gjykim në themel dosjen “Partizani” duke pranuar kërkesën e SPAK dhe duke rrëzuar pretendimet e avokatëve për pushim të hetimeve.
Berisha është ish-kryeministri i parë që do të ulet në bankën e të akuzuarve. Krah tij do qëndrojë edhe dhëndëri Jamarbër Malltezi që përveç korrupsionit do të gjykohet edhe për pastrim parash bashkë me ndërtuesit Fatmir Bektashi Xhimi Begeja e Andia Pustinën.
Mbrojtjes së tyre i janë rrezuar disa kërkesa për përjashtim të gjyqtares Flojera Davidhi dhe pavlefshmëri të akteve dhe vendimeve të dhëna për këtë çështje nga gjyqtarja Irena Gjoka për të cilën pretendojnë se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Hetimet e SPAK për dosjen “Partizani” nisën pas kallëzimit të Taulant Ballës në atë kohë kreu i Grupit Parlamentar socialist. Sipas prokurorisë Berisha në cilësinë e kryeministrit ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronarëve duke përfituar sipërfaqe toke në ish-kompleksin partizani në kundërshti me ligjin.
Komente