Berisha ka mbledhur Kryesinë e PD, ku do të bëhet miratimi i kandidatëve finalë. Por Kryesia po shqyrton emrat vetëm për 26 bashki nga 61 që kemi në total…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka miratuar blofin me procesin e “Primareve”. Të premten që shkoi u mbyll afati i kandidimeve dhe në një pjesë të madhe të bashkive nuk ka pasur interes. “Pamfleti” nxori një ditë më parë listën me zonat ku ka kandidatë, por sot edhe “Foltorja” e ka pranuar se procesi nuk ka ecur aq vaj sa duket.
Berisha ka mbledhur Kryesinë e PD, ku do të bëhet miratimi i kandidatëve finalë. Por Kryesia po shqyrton emrat vetëm për 26 bashki nga 61 që kemi në total. Ishte Albana Vokshi që e deklaroi diçka të tillë.
Ajo u mundua të justifikohej se dokumentacioni nga degët e tjera nuk ka ardhur dhe për këtë arsye duhet të shqyrtohen emrat vetëm në 26 njësi. Por arsyeja është e qartë se nuk ka interes.
“Ka pasur propozime nga degët, por jo të gjitha propozimet kanë ardhur pasi pati dhe nga ata që nuk e kanë pranuar propozimin. Ne sot kemi vetëm 26 degë që mund t’i shqyrtojmë dhe mbledhja të vijojë për nesër ose në vazhdim të për të përmbyllur procesin e shpalljes së kandidaturave”, tha ajo.
Por Vokshi ka konfirmuar atë që është thënë deri më tani. Së pari në një pjesë të madhe të bashkive nuk ka pasur kandidime individuale. Së dyti, vetë degët kanë propozuar emra kandidatësh, ku disa nuk e dinë që janë propozuar. Për këtë arsye shumë emra janë tërhequr nga gara duke mos pranuar.
Ndërkohë në shumë degë do kemi garë me vetëm një kandidatë, duke hedhur poshtë të gjithë qëllimin e “Primareve”. Me shumë mundësi në 35 bashkitë e tjera ku nuk ka emra, do kemi kandidatë të propozuar dhe kthehemi sërish te skema e vjetër ku kryetari përcakton kandidatët e zgjedhjeve.