Deklata e ish-liderit të PD: “Ose e përmbysim këtë regjim, ose do shuhet përfundimisht opozita. Marrëveshje me Edi Ramën, nuk ka asnjë burrë që ta bëjë më! U bë në 2017 si përpjekje e opozitës për të kontribuar në ecjen e vendit përpara, por rezultati u pa se çfarë prodhoi ajo marrëveshje: prodhoi dosjet numër 339 dhe 184, që faktuan krimin zgjedhor”… Deklarata u bë në programin ‘360 gradë’ të Televizionit ‘Ora News’.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë një marrëveshje mes opozitës dhe Edi Ramës si kryeministër. Në një intervistë të dhënë dje në emisionin “360gradë”, të gazetarit Artur Zheji, ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëzuar çdo mundësi që zgjidhja e krizës politike të vijë si pjesë e pazareve apo kulisave mes aktorëve kryesorë politikë në vend.
“Ose e përmbysim këtë regjim, ose do shuhet përfundimisht opozita. Marrëveshje me Edi Ramën, nuk ka asnjë burrë që të bëjë më. U bë në 2017-ën si përpjekje e opozitës për të kontribuar në ecjen e vendit përpara, por rezultati u pa se çfarë prodhoi ajo marrëveshje: prodhoi dosjet 339 dhe 184, që faktuan krimin zgjedhor”,- tha ai. Duke iu përgjigjur pyetjes për një takim mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për zgjidhjen e krizës, Berisha u shpreh në mënyrë të prerë: “Ulja e Bashës me Ramën kryeministër është puthja me Judën. Pikë! Ulja e zotit Basha me Ramën, me kreun e PS-së, pa qenë kryeministër, është tjetër. Nuk besoj se zoti Basha dhe askush tjetër ka autoritetin dhe të drejtën t’u kërkojë socialistëve shqiptarë, se cilin do të kenë kryetar”. Pra si kryetar i PS takohet për zgjidhjen e situatës, por jo në cilësinë e kryeministrit.
Lidhur me qëndrimin e PS-së dhe Edi Ramës për të shkuar në zgjedhje pa opozitën më 30 qershor, Berisha ka paralajmëruar se në asnjë rrethanë zgjedhjet pa opozitën nuk mund të zhvillohen. “Jo 30 qershori, por edhe 30 maji më duket një datë e largët për Ramën si kryeministër. Duhet të rrëzohet një orë e më parë. Kjo nuk mund të lidhet me një datë, por duhet të vijë një orë e më parë. Zgjedhje nuk mund të ketë në 30 qershor”,- deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.
Duke analizuar zhvillimet e vitit të fundit, Berisha shprehet i bindur se qeveria “Rama” ka konsumuar një grusht shteti. Sipas tij, zhbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si institucionet që kontrollojnë pushtetet e tjera, ka sjellë de fakto zbatimin e një grushti shteti. “Kriza është e paprecedentë në historinë e këtij vendi dhe ndoshta historike në historinë e një vendi edhe unike. Pse është unike? Sepse një sistem, një regjim përjashtoi de facto totalisht atë pushtet që kushtetuta e çdo vendi i lë edhe opozitës. Me asgjësimin e Gjykatës Kushtetuese të gjitha kompetencat e saj i kalojnë qeverisë. Opozita është në minorancë dhe nuk ka vota për të bllokuar ligjet e thjeshta në parlament, por ka një institucion ku shkon ndjek ato ligje që ajo i konsideron në kundërshtim me frymën kushtetuese edhe interesat e saj. Ky institucion me qëllim të plotë u dekapitua dhe u krye një grusht shteti brenda shtetit?”,- deklaroi lideri historik i së djathtës.
Për ish-kreun e qeverisë, në situatën e një grushti shteti kur nuk ka më institucione që të vendosin të drejtën, opozitës nuk i mbetet vetëm se të përplaset me mazhorancën. “Kjo është një betejë që pa diskutim do të shkojë në një finale. Dhe kjo betejë nuk shoh zgjidhje veç një përplasje shumë të fuqishme. Kjo është një betejë në të cilën janë konsumuar mjete të tjera. Është konsumuar sepse ka pasur një marrëveshje të 2017 e cila në vend që ti jepte vendit paqen që meritonte për shkak të zgjedhjeve i dha dosjen 339 dhe 182”,- deklaroi dje ish-kryeministri Berisha. Në intervistën e dhënë dje, Berisha u ka thënë përgjigje dhe teorive konspirative që lidhen me rrjedhjen e deputetëve nga e djathta apo krijimin e partisë së re të Astrit Patozit. Për deputetët që pranuan mandatet, Berisha deklaroi se janë në shkelje kushtetuese dhe nuk përfaqësojnë opozitën e vërtetë.
Ndërsa për partinë e re të Astrit Patozit, ish-kreu i PD-së, deklaroi se “kjo është tallja më e madhe që Edi Rama ka bërë më Astrit Patozin”.
Thirrja për një betejë finale kundër Edi Ramës dhe përplasje të fortë nëse kryeministri nuk largohet, janë paralajmërimi që tregon se më 30 qershor as mund të flitet më për zgjedhje.
Veritas.com.al/