
Kreu i PD, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, i shoqëruar vetëm nga një grusht militantësh. Pas daljes nga SPAK, Berisha nuk sulmoi vetëm Altin Dumanin, të cilin e quajti shërbëtor të Edi Ramës.
Berisha sot kishte rezervuar të tjera sulme edhe për gjyqtaren e hetimit paraprak Irena Gjoka, për të cilën publikoi një dokument në bazë të të cilit pretendon se gjyqtarja e Posaçme ka fshehur një dënim në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh. Madje, Berisha sulmoi edhe Departamentin Amerikan, duke thënë se dokumentin e dënimit ishte fshehur edhe nga administrata Biden pasi hidhte në erë reformën në drejtësi.
“Dua të falënderoj autoritetet greke të cilat e bënë publik këtë dokument. Por dua të dënoj ndërhyrjen e bërë nga këto autoritete, nga administrata nga Departamenti i Shtetit të administratës Biden që ky dokument të mos shihte dritën se ja merr fytyrën reformës në drejtësi. Ata kishin hallin e Sali Berishës dhe jo të reformës në drejtësi. Turp e mafie. Ju garantoj se fatin e kësaj do të ketë pas zgjedhjeve, secili prej tyre që ka kryer dhe ka fshehur krime”, tha Berisha.
Këtë dokument, pritet që mbrojtja e Berishës ta dorëzojë sot në seancën paraprake në GJKKO, ku gjyqtarja Flojera Davidhi duhet të vendosë nëse dosja e aferës Partizani, do kalojë ose jo për gjykim, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët. Kjo është një tjetër lëvizje e mbrojtjes së Berishës, për të zvarritur procesin të cilin e kanë mbajtur peng prej 6 muajsh në seancë paraprake.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare.
Komente