Sipas Berishës ky koalicion do të quhet “Shtëpia e Lirisë”.
Ai bëri me dije se, po negociohet edhe me partitë e tjera, të cilat duan të jenë pjesë e kësaj “shtëpie”.
“Negociata janë në vazhdim dhe deri sa janë në proces mund të them se këta kandidatë kanë një mbështetje të gjerë. Kandidatët janë shumë të pëlqyer”, deklaroi ish-lideri i selisë blu.
Nga konferenca, Berisha njoftoi se nëse kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për këto zgjedhje nuk arrijnë të fitojnë, ky komision do të mbajë përgjegjësinë totale.
I pyetur nga gazetarët se “nëse ndjen keqardhje se kandidatët do të garojnë nën logon e LSI-së, ai u ravijëzoi se Shtëpia e Lirisë do të ketë logon e saj të koalicionit.
“Logoja do të jetë e re. Koalicioni do të quhet ‘Shtëpia e Lirisë’ dhe do të ketë logon e vet. Logoja nuk është me e partisë, por e koalicionit”, deklaroi Berisha.
Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë
Komisioni i Rithemelimit ka përmbyllur procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të lokaleve të 6 marsit, më 30 janar.
Rezultati i parë i dalë nga votimet, ka qenë ai i Vorës, ku 332 persona kanë votuar në tërësi.
Fitues ka dalë Lulzim Vrana, me 277 vota pro. Rivali i tij në garë, Luan Gani, ka marrë 55 vota.
Kryetari i Komisionit vendor të votimit dhe numërimit, Agron Marku, ishte ai i cili ka shpalosur edhe rezultatin e votimeve.
Në Dibër është shpallur fitues kandidati Premtim Kryemadhi, me 424 vota të marra prej 713 që ishin në total.
Dy kandidatët e tjerë, Behar Dema dhe Dafina Muda, kanë marrë respektivisht 158 dhe 121 vota. Dhjetë vota ndërkohë, kanë qenë të pavlefshme.
Durrësi ka parë fitues kandidatin Ardjan Muka, i cili ka marrë 1 mijë e 546 vota. Përballë tij ishte Silvja Gjepali, e cila nuk ka shkuar më shumë se 373 vota. Në këtë bashki, ka pasur 11 vota të pavlefshme.
Për Bashkinë e Rrogozhinës, personi më i votuar ka qenë Hekuran Xhani, me 211 vota. Kështu, ai do të jetë garues i Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet lokale të 6 marsit.
Kandidatët e tjerë kanë marrë numër më të ulët votash, ku më i afërti ka qenë Sokol Gosa, me 70 të tilla. Eqerem Deliu mori 23 vota, Vladimir Manushi shtatë dhe Hajrulla Tafa, tre të tilla.
Bashkia e Lushnjës do të ketë për kandidat nga lëvizja e Berishës Elton Banon, i cili mori 671 vota në primare.
Mes katër kandidatësh, Bano ka arritur të sigurojë më shumë se gjysmën e votave.
Arben Zaimi mori 240 të tilla, Erion Iljazi 49 dhe Indrit Qerimi, 92.
Bardh Spahia, do të kompletojë listën e Berishës, pasi ka rezultuar fitues në procesin e zhvilluar në Shkodër.
Kështu, gjashtë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit, do të kenë tashmë një muaj kohë, për të zhvilluar fushatën e tyre në rrethet përkatëse.