Pas dorëzimit në Gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionit për regjistrimin si parti politike, shoqëruar me rreth 4 mijë firma mbështetësish për krijimin e saj, Bindja Demokratike në një njoftim për mediat bën me dije se do të të regjistrohet për Zgjedhjet e 30 Qershorit si një parti opozitare.
Fabian Topollaj dorëzoi në KQZ edhe regjistrimin e kësaj force politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Sot është afati i fundit i vendosur nga KQZ për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet lokale.
Njoftimi i plotë i Bindjes Demokratike:
Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë.
Bindja Demokratike dorëzoi paradite në gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionin e regjistrimit si parti politike, shoqëruar me rreth 4 mijë firma mbështetësish për krijimin e saj.
Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj. Nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit.
Anëtarë të këtij bordi do të jenë:
Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi.
Po sot Bindja Demokratike dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
VERITAS.COM.AL/