Qarkullimi në rrugën e Arbrit është bllokuar pas përkeqësimit të kushteve atmosferike në veri të vendit, ku përgjatë gjithë natës ka pasur reshje të dendura bore dhe shiu në pjesë të caktuara të Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia Rrugore, segmenti më problematik është ai që lidh bypass-in me qafë Murrizin.

Trashësia e dëborës në afërsi të Bypass arrin deri në 15 centimetër duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve. Në rrugë janë mjetet borëpastruese të firmës, por për shkak të reshjeve që vazhdojnë pastrimi total i rrugës është i pamundur.

Sa i përket akseve të tjera rrugore në vend, ato mbeten të kalueshëm, ku në disa zona kërkohet përdorimi i gomave dimërore apo zinxhirëve.

Fillimi i shkurtit është paralajmëruar të jetë ende i ftohtë, me temperatura të ulëta në gjithë vendin dhe reshje lokale bore e shiu.