Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp, u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk janë të interesuar për Asociacionit. Kreu i qeverisë shtoi se tensionet në veri të vendit i shërbejnë Kurtit dhe Vuçiçit për politika të brendshme.

“Zero sepse së pari përpjekja ime për t’u takuar me krueministrin e Kosovës nuk ka filluar sot, ka disa ditë që i kam kërkuar të takohemi për të folur për këtë situatë. Për mua nuk ka surpriza apo gjëra të panjohura me Albinin sepse siç më njeh ai mua e njoh edhe unë atë edhe është i sinqertë në atë që thotë.

Ai beson vërtet se thotë diçka të rëndësishme dhe duhet ta marr në konsideratë dhe e fundit, zero sepse ka dy njerëz që janë të painteresuar për asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë por janë të interesuar që asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme iu duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën?

Mendoni se në cepin më të largët të mendjes së vet ai mendon se mund të futet një ushtar serb një metër në kufirin e Kosovës? Jo. Nuk e imagjinon. Nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët në Kosovë por për të ndezur shpirtin nacionalist në Beograd. Për çfarë i duhet Kosovës një konfrontim me Serbinë. Serbia e ka humbur luftën në ‘99 dhe që atëherë nuk është më kërcënim për Kosovën. Jo sepse ështe Albin Kurti aty por sepse aty është Amerika, e cila sot është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës. Për çfarë duhet kjo histori konfrontimi? Për politikë të brendshme. ”, tha ai.